“S’e kemi me dinarin…”, Kurti: Synimi i BQK-së është formalizimi i pagesës. Nga 1 Shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë

schedule23:13 - 11 Shkurt, 2024

schedule 23:13 - 11 Shkurt, 2024

Albin Kurti tenton edhe njëherë të shfajësohet për veprimet e njëanshme që ka ndërmarrë.

Në një video 8 minuta në serbisht, kreu i qeverisë së Kosovës u bëri thirrje serbëve që të hapin llogari të reja bankare, për të zbatuar rregulloren e re të bankës qendrore, e cila parashikon që do të përdoret vetëm valuta euro dhe do të ndalohet dinari serb për shitblerje.

Ky vendim, jo pak herë, ka ngjallur reagim të ashpër nga ndërkombëtarët të cilët kanë kërkuar pezullim të menjëhershëm të vendimit pasi prek përditshmërinë e serbëve lokalë.

Justifikimi i Kurtit ka qenë një: Banka qendrore është e pavarur dhe merr vendime të pavarura.

Mirëpo, gjatë fjalës së tij këtë të diel ai vërtetoi të kundërtën, që vendimi jo vetëm që ka qenë politik, por ka qenë i qeverisë Kurti.

“Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta.”, deklaroi kurti.

Pavarësisht të gjithave, Kurti insiston se po synon një tranzicion “sa më të lehtë”. Ai sqaroi se kjo është bërë për të ndaluar hyrjen e dinarëve me thasë nga Beogradi, por jo për të ndaluar ndihmën nga Beogradi.

“Përmes llogarisë bankare mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë”, deklaroi Kurti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!