Scholz: Ne mbështesim Kievin, por nuk duam një konflikt Rusi-NATO

schedule10:24 - 25 Tetor, 2022

schedule 10:24 - 25 Tetor, 2022

Nga Robin Alexander “La Repubblica

Zoti Scholz, ju jeni kancelari i Gjermanisë prej gati 1 viti. A ka pasur një moment kur keni pyetur veten nëse jeni apo jo personi i duhur për këtë post?

Jo.

Deklarata juaj e përsëritur se Vladimir Putin do ta përdorte një ditë energjinë si një armë, ka shkaktuar shpeshherë zemërim brenda koalicionit të dikurshëm. Qeveria e mëparshme gjermane, pjesë e së cilës ju ishit, ka pretenduar gjithmonë të kundërtën. …

Për mua ishte e qartë që në fillim se mund të ndodhte diçka e tillë. Unë e dija se neve gjermanëve na leverdiste të përdornim gazin rus me kosto të ulët. Por ne nuk kishim luksin që të vareshim prej tij, dhe na duhej që të përdornim edhe burime të tjera furnizimi.

A ishit i vetmi në qeverinë e Angela Merkel që mendonit kështu?

Kësaj pyetje nuk mund t`i përgjigjem. Por një gjë është e sigurt: pas emërimit tim si kancelar, unë pyeta departamentet përgjegjëse se çfarë do të bënim nëse gazi nuk do të vinte më nga Rusia. Fatkeqësisht nuk kishte asnjë plan rezervë.

Qeveria juaj blen gaz nga gjysma e botës, por jo nga territori juaj kombëtar…

Gazi natyror nuk është e ardhmja jonë. Gjermania do të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045. Pra deri në atë datë kur industria jonë do të bazohet tek hidrogjeni dhe energjia elektrike nga burime të rinovueshme. Për këtë ne po krijojmë infrastrukturën e nevojshme.

Këtë javë shmangët mbylljen e 3 termocentraleve bërthamore. Mund të përjashtoni një zgjatje tjetër të këtij afati?

15 prilli i vitit 2023 është afati i fundit. Deri në atë kohë do të shterohen edhe rezervat e fundit të karburantit bërthamor.

Ju nuk thoni që do ta përballojmë si duhet dimrin, por se “ndoshta ia dalim”. Pse e relativizoni këtë çështje?

Me aq sa dimë sot, do t’i mbijetojmë dimrit që po vjen. Por ndërkohë ka rrethana të jashtme mbi të cilat ne nuk kemi fuqi.

Por çmimet po rriten shumë…

Ne po ulim masivisht taksat. Ne do t’i bëjmë 100 për qind të zbritshme kontributet e pensionit. Cilido që ka vetëm 1000 euro të ardhura në muaj apo më shumë, do të paguajë deri në 50 euro më pak taksa në muaj. Po ashtu kemi rritur ndihmën për familjet: Ato me 2 fëmijë do të marrin më shumë se 400 euro në vit.

A keni frikë se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të degradojë në një luftë botërore?

Mendoj se jo, por gjithsesi duhet të kemi parasysh rrezikun. Në një situatë kaq të rrezikshme, duhet të shmanget çdo hap i pakujdesshëm. Nuk duhet të ketë konflikt të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s! Në këtë jam dakord me Joe Biden, të cilin e konsideroj një president të shkëlqyer, i cili e njeh mirë botën dhe ka një ndjenjë të fortë gjykimi.

Njëkohësisht, ne do e mbështesim Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur. Pas Shteteve të Bashkuara, Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të këtij vendi në aspektin financiar, humanitar dhe ushtarak. Gjermania po e furnizon Ukrainë me armë shumë të rëndësishme në këtë luftë artilerie si dhe me sisteme të mbrojtjes ajrore. Vetëm pak ditë më parë sapo i dërguam IRIS-T, sistemin më modern në botë të mbrojtjes zonale, të cilin nuk e ka aktualisht në përdorim as ushtria jonë.

A ju ka kërcënuar ndonjëherë Putini se do ta zgjasë konfliktin?

Për arsye të forta, nuk po raportoj publikisht mbi detajet e bisedimeve që zhvilloj me presidentin rus. Ndaj do të kufizohem vetëm me këtë konstatim: Raportet që kam lexuar mbi kërcënimet e supozuara gjatë këtyre bisedimeve janë të rreme.

Çlirimi i territoreve të pushtuara në Ukrainë, po kryhet tani me përdorimin e tankeve

të projektuara që nga koha e sovjetikëve. Por nëse goditet një tank i tillë, depoja e municioneve shpërthen dhe ekuipazhi digjet për vdekje. Ndërkohë nëse ndodhen në një tank gjerman “Leopard”, shpeshherë ushtarët arrijnë të dalin jashtë. Pse Kievit nuk po i dërgoni tanket modernë perëndimorë?

Gjermania ka garantuar dërgimin në Ukrainë të mbi 100 tankeve që mund të përdoren menjëherë, dhe që vijnë nga Çekia, Sllovakia, Sllovenia dhe Greqia. Logjistika, pjesët rezervë dhe municionet për këto tanke janë të disponueshme në Ukrainë. Ne po përpiqemi të garantojmë furnizime edhe nga vendet e tjera. Por fakt është se furnizimi me armë është i lidhur me një parim shumë të qartë: asnjë veprim i njëanshëm.

Duke folur me qytetarët, përshtypja ime është se 20-30 për qind e tyre nuk janë dakord as me politikën e sanksioneve dhe as me furnizimin me armë. Kjo vlen për votuesit e pothuajse të gjitha orientimeve politike nga CDU/CSU, tek FDP, tek të Gjelbrit, deri tek SPD.

Unë diskutoj me ata që dyshojnë, dhe u shpjegoj arsyet e vendimeve tona. Madje dikush është bindur nga ato që i kam thënë. Shumë njerëz mendojnë se linja e kujdesshme e qeverisë është ajo e duhura. Prandaj, diapazoni i opinioneve është shumë i gjerë. Ne duhet

ta kemi parasysh këtë, nëse duam të mbetemi të bashkuar si shoqëri”. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!