Juventus pret në shtëpi ekipin e Lecce nesër në mbrëmje (21:45) dhe është gati të përfitojë nga frenimet e Lazios dhe Interit. Maurizio Sarri ka “skanuar” situatën e bardhezinjve në konferencë për shtyp, aty ku flet për garën e titullit, rivalët, Arthur dhe disa lojtarë të skuadrës së tij.
TITULLI – “Nuk e pashë ndeshjen e Interit, po punoja. Pashë vetëm një pjesë të Atalanta-Lazio. Duhet të shohim shumë rezultatet tona dhe fare pak ato të rivalëve. Në këto momente nuk kemi një avantazh të konsiderueshëm, janë edhe 33 pikë në lojë”.
LECCE – “Të gjitha ndeshjet janë të vështira, sidomos në këtë periudhë. Duhet të tregohemi të aftë në minutat e para. Gjendja fizike nuk është optimale dhe kalendari është i ngjeshur. Lecce luan një futboll të bukur dhe rezultatet më të mira i ka marrë në transfertë”.
KRAHU I MAJTË – “Mund të luajë Matuidi në atë pozicion, e kemi provuar një zgjidhje të tillë. Pjanic? Ai është në dispozicion dhe po përmirësohet. Kam një konsideratë të madhe për këtë lojtar”.
ARTHUR – “Braziliani është një lojtar i Barcelonës, më duket diçka e keqe të flas për të. Njësoj siç nuk më ka pëlqyer kur trajneri i tyre foli për Pjanic. Nuk dua të jap asnjë koment”.
SKUADRA – “Higuain ishte kundër rifillimit të kampionatit. Ai është një djalë i ndjeshëm dhe problemet personale e kanë prekur. Pipita mund të luajë vetëm një pjesë loje në këto momente. Njësoj edhe për Aaron Ramsey. Të dy po rriten dhe po e marrin veten”.
BERNARDESCHI – “Është një lojtar që mund të luajë në disa role. Mendoj se mund të bëhet një lojtar i madh duke luajtur si mesfushor i brendshëm, por mund të bëjë mirë edhe në krahë”. /abcnews.al