“Sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Kosovës, kanë dëmtuar vetëm qytetarët”, kështu është shprehur Frashër Krasniqi gjatë një interviste të zhvilluar në “Balkan Update” në ABC News.
Krasniqi nuk i kurseu kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti duke theksuar se pasojat e vendimit për çështjen e dinarit po i ndien vetëm shtresa e mesme.
“Kurti të njëjtat gjëra ia ka pranuar të gjithëve edhe europianëve dhe amerikanëve. Por opinioni në Kosovë nuk po e din dhe Kurti po fshihet për të treguar faktin para popullit se të gjitha i ka pranuar. Pra ai bën tensione vetëm për të krijuar përshtypjen se nuk e pranon asociacionin. Nga këto sanksione preken qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe qytetarët serbë që jetojnë në veriun e vendit. Ndërsa me vendimi për dinarin nuk është goditur Radoijçiç. Sanksionet ndaj Kosovës po i ndien më shumë shtresa e mesme. Kurti ka shfrytëzuar kartën nacionaliste dhe kjo është shumë e rrezikshme sepse me çështjen për dinarin pasojat i vuajnë vetëm qytetarët”, tha ndër të tjera Krasniqi.
Nga ana e tij eksperti i ekonomisë Agim Shahini deklaroi se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët. Në intervistën e dhënë për emisionin “Balkan Update” në ABC News, Shahini nënvizoi se qytetarët kanë pritur më shumë nga qeveria e Kosovës, por politika e ndjekur nuk ka qenë në favor të tyre.
“Sanksionet janë të padrejta, por qytetarët janë duke i përjetuar pasi kanë të bëjnë me investime private dhe publike që janë ndalur për Kosovës. Qytetarët kanë pritur më shumë nga qeveria e Kosovës, por nuk mund të themi se tani qytetarët kanë bërë ndonjë faj që të sanksionohen nga institucione të ndryshme në këtë rast nga BE. Ne në vitet e fundit nuk kemi asnjë njohje. Politika duhet të ndryshojë shumë, jo vetëm në favor të zhvillimit ekonomik dhe politik, por edhe diplomatik”, tha ai.
/abcnews.al/