Bashkimi Europian ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
Sanksionet prekin arin rus, një bankë të madhe, një klub nacionalist motoçikletash të njohur si Nightwolves dhe aktorët që mbështesin Vladimir Putin.
Megjithatë, për presidentin Volodymyr Zelensky këto masa janë të pamjaftueshme.
Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e cilësoi si një sinjal të fortë miratimin e paketës së shtatë të sanksioneve nga 27 vendet anëtare të BE-së.
“Sanksionet e përforcuara të BE-së kundër Kremlinit dërgojnë një sinjal të fortë për Moskën: ne do ta mbajmë presionin në nivele të larta për aq kohë sa të duhet”, shkroi Von der Leyen në Twitter.
Por për presidentin Zelensky kjo nuk mjafton.
“Kjo nuk mjafton dhe unë po ua them partnerëve të mi këtë sinqerisht. Rusia duhet të ndjejë një çmim shumë më të lartë për luftën për ta detyruar atë të kërkojë paqen”, tha ai në një fjalim.
Masat e fundit të rëna dakord në Bruksel janë mbiquajtur “paketa gjashtë e gjysmë” për shkak të ambicies së tyre të kufizuar. Të hënën, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, pranoi se liderët kishin qenë gjithnjë e më të shqetësuar se sanksionet e bllokut po dëmtonin veten./abcnews.al