Sanksione të reja për Putin? Biden mbërrin në Bruksel

schedule21:17 - 23 Mars, 2022

schedule 21:17 - 23 Mars, 2022

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbërritur në Bruksel për një sërë takimesh me liderët botërorë.

Presidenti amerikan do të marrë pjesë nesër në samitet kryesore të NATO-s dhe vendeve të G7. Qëllimi i takimeve është koordinimi i veprimeve të përbashkëta për sigurinë energjetike të Evropës dhe reagimi ndaj agresionit rus.

Biden pritet gjithashtu të shpallë sanksione shtesë kundër Rusisë.

Këtë javë aleatët perëndimorë do të koordinojnë fazën tjetër të ndihmës për Ukrainën, me Presidentin amerikan Joe Biden që po shkon në Evropë për të marrë pjesë në një samit urgjent të NATO-s dhe për t’u takuar me udhëheqësit e G-7 dhe Bashkimit Evropian, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan.

“Presidenti do të bashkohet me partnerët tanë për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë dhe forcimin e sanksioneve ekzistuese për të goditur shmangien dhe zbatimin e plotë të tyre. Ai do të punojë me aleatët për ndryshime afatgjata të pranisë së forcave të NATO-s në krahun lindor. Presidenti do të shpallë veprime të përbashkëta për të rritur sigurinë energjetike evropiane dhe për të pakësuar më në fund vartësinë e Evropës nga gazi rus“.

Qëllimi është që të forcohet pozita e Volodymyr Zelenskyy-t teksa ai negocion me Moskën. Presidenti ukrainas ka sinjalizuar se pasi të arrihet një marrëveshje armëpushimi, ai është i hapur për të diskutuar statusin e rajonit lindor të Donbasit – i mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Rusia – dhe Krimesë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014.

Kievi është gjithashtu i gatshëm të marrë në konsideratë heqjen e kërkesave për anëtarësim të plotë në NATO në këmbim të garancive të sigurisë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!