Sandër Lleshaj “skanon” gjeopolitikën: Europa po armatoset si kurrë më parë

schedule21:12 - 13 Mars, 2023

schedule 21:12 - 13 Mars, 2023

TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, komentoi në lidhje “skype” me emisionin “Lufta dhe Paqja” zhvillimet gjeopolitike si dhe tensionet Rusi-Ukrainë. Referuar një studimi të një prej Instituteve të Sigurisë në Stokholm, Lleshaj tha se të dhënat tregonin se Europa po armatoset si kurrë më parë në 30 vitet e fundit. Ai u pyet nëse e mbështet  një përpjekjeje të Kosovës për t’u armatosur në kushtet kur Serbia shpeshherë “kërcënon” me ushtrinë e saj, Lleshaj me diplomaci dhe një gjuhë të kujdesshme dha këtë përgjigje:

“Një Institut i studimeve të sigurisë në Stokholm kishte bërë një studim dhe konkluzioni ishte se “Europa po armatoset si kurrë më parë në 30 vite”. Në këtë kuptim, dhe mosndjekja e kësaj tendencë do të thotë naivitet. Të gjitha vendet duhet të ndërmarrin veprimet për të rritur arsenalin e tyre mbrojtës”, tha Lleshaj.

Ai theksoi se nëse popujt harrojnë të përdorin armët, atëherë dhe koncepti i lirisë nuk do ketë kuptim.

“Nëse harrojmë të përdorim armët, nëse s’kemi armë, do të thotë se nuk kemi liri. Kjo është më e qartë.”, tha ai.

Ish-ministri tha se përkundër konflikti në Ukrainë, Rusia nuk ka hequr asnjëherë vëmendjen për zhvillimet në Ballkan, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

“Rusia dhe Putini nuk kanë hequr kurrë sytë nga Ballkani, në Serbi, Kosovë, dhe Shqipëri. Kanë arritur të përmendin edhe dy tre raste ushtarësh që kanë shkuar në Ukrainë. Putini ka vëmendje shumë të fortë ndaj Serbisë dhe Vuçiçit. Vuçiç ndodhet në një situatë për të zgjedhur, dhe mbajta anë, ka një kosto”, tha ai.

Ai theksoi se edhe Shqipëria duhet të jetë vigjilente përballë këtyre zhvillimeve të reja, ku vihet re një “ndezje” e retorikës gjeopolitike.

“Ne ashtu si popujt e e tjerë, kemi ende probleme të pazgjidhura, kemi nevojë të mendojmë seriozisht për këto gjëra dhe ne jemi vend ku mpleksen interesa të mëdha, shpeshherë armiqësore me ne, ndaj të cilave duhet të përgatitemi të ndeshemi fort, jo butë”, tha ai./n.m.abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!