Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë i pranishëm ditën e sotme në ceremoninë e prezantimit të forcave “Shqiponja” në qytetin e Kukësit.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni Lleshaj tha se policia e shtetit është duke shtuar njësitë e saj të specializuara dhe duke trajnuar punonjësit në mënyrë që të jenë të përgatitur në përballjen me krimin.
Sipas Lleshaj, krimi në Shqipëri është sofistikuar dhe se nuk janë më bandat e ’97 që duhen luftuar.
Lleshaj theksoi se krimi në ditët e sotme lufton me mjete dhe arsye të reja që ka tendencë për tu sofistikuar edhe në vijim.
Për këtë arsye ministri i brendshëm prezantoi njësitë speciale të cilat i janë shtuar strukturës së policisë së shtetit siç janë: Njësia I, Njësia K, Njësia C si dhe OFL të cilat kanë kapacitetet e tyre të inteligjencës për të luftuar këtë lloj krimi.
“Sot fokusi i krimit është zhvendosur në një drejtim tjetër, nuk kemi të bëjmë me banda por me krim më të sofistikuar që lufton me mjete dhe arsye të reja. Policia e shtetit ndërkohë po lufton me armë më të sofistikuara. Në Kukës kemi krijuar strukturë të re siç është Shqiponja.
Për tu përballur me krimin e organizuar i cili është tendencë sofistikimi ne kemi njësi të specializuar në qendër të cilët kanë kapacitet për tu përballur me këtë lloj krimi në të gjithë aspektet. Kjo njësi është e përbërë nga studentë ekspelentë që pas studimeve të tyre janë arsimuar si oficerë të krimit ekonomik.
Po ashtu një tjetër njësi që është shtuar në mes të njësive është “Njësia K” e cila merret me personat e shpallur në kërkim. Shumë qytetarë, shtetas shqiptarë që janë dënuar i janë shmangur përmes arratisjes apo përmes fshehjes dhe kamuflimit, njësia K do të ndjekë ata për ti vënë përballë organeve të drejtësisë. Gjithkush që ka llogari për të shlyer me drejtësisë shqiptarë herët a vonë do ta shlyej atë.
Një tjetër njësi është “Njësia I”, i cili shënon një kapacitet të ri të munguar në policinë e shtetit, kjo është njësia e informacionit. Një njësi tjetër është “Njësia C” që është njësia për krimin kibernetik, hapësira kibernetike është një hapësirë e cila përdoret nga krimi i organizuar siç mund të jenë krimet që depërtojnë në llogari, sulmi, shantazhi etj. E gjithë kjo hapësirë e cila nuk ka qenë në një kontroll rigoroz profesional dhe ligjor duhet të vihet nën kontrollin e policisë që gjithçka të zhvillohet konform rregullave dhe standardeve ndërkombëtare.
Njësi tjetër është OFL, e iniciuar nga qeveria. Kjo strukturë ka për detyrë të vendosë përpara drejtësisë këdo që ka vënë pasuri për të cilën nuk ka gjurmë dhe të dhëna se është vënë sipas ligjit.
Na duhen më shumë policë profesionist dhe me profil tjetër nga ajo që është paraqitur më përpara. Në funksion të rritjes së cilësisë së policisë po bëhen trajnime dhe arsimim të tyre. 500 oficerët e shtuar në polici kanë kaluar në një program të mirëfilltë trajnimi. Synojmë që cilësia të prevalojë ndaj sasisë”, tha Lleshaj.
N.D./abcnews.al