San Siro “mallkim” për Vlahovic dhe Chiesa, serbi mund të humbasë ndeshjen e radhës

schedule19:36 - 5 Shkurt, 2024

schedule 19:36 - 5 Shkurt, 2024

Inter mposhti Juventusin në San Siro me shifrat 1-0, duke u dhënë një goditje të fortë shpresave të bardhezinjve për titullin kampion. Zikaltërit konfirmuan se janë ata pretendentët kryesorë për titullin duke dominuar skuadrën e Massimiliano Allegrit, që bëri shumë pak për të merituar qoftë edhe një pikë.

Sakaq, përveç disfatës që peshon, te Zonja e Vjetër tashmë vuajnë edhe problemet fizike të Dusan Vlahovic dhe Federico Chiesës. Sulmuesi serb i është nënshtruar analizave për një mbingarkesë muskulore në kofshën e djathtë teksa rikuperimi i tij do të ndiqet ditë pas dite, me Vlahovic që është në dyshim për ndeshjen e fundjavës ndaj Udineses.

Duket se stadiumi San Siro nuk i sjell fat 24-vjeçarit që në tetë ndeshje në Milano nuk ka mundur ta gjejë në asnjë rast rrugën e rrjetës. Ndërkohë, Chiesa mori një goditje në këmbën e djathtë dhe gjithashtu iu nënshtrua analizave. Megjithatë, për sulmuesin duket se nuk ka probleme dhe do të jetë gati për ndeshjen me Udinesen./ h.ll/abcnews.al