BRUKSEL– E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Ky ishte një ndër konkluzionet e samitit të kësaj të mërkure mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Në deklaratën e nënshkruar në Bruksel rikonfirmohet përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reforma dhe merita të vendeve aspirante.
“Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi realiste, të cilën duhet ta shfrytëzojmë.”
BE-ja kërkon respektimin e të drejtave dhe trajtimin e barabartë të pakicave, ndërsa u kërkohet shteteve anëtare t’u japin prioritet parimeve të demokracisë dhe vlerave themelore të shtetit të së drejtës. Një vëmendje të veçantë i kushtohet bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë. Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, thuhet në deklaratë, i pengon të dyja shtetet që të ecin përpara në rrugën drejt Europës.
Në deklaratën finale theksohet edhe roli i Planit të Rritjes në përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit.
“Plani i Rritjes ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme, duke siguruar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime. Kjo vlerë i shtohet 29 miliardë eurove që po shpërndahen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje që të shfrytëzohen maksimalisht mundësitë e jashtëzakonshme që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit në kohë të reformave.”
Sa i përket menaxhimit të emigracionit, palët dakordësohen për të përafruar plotësisht politikën e tyre të vizave me BE-në, për të luftuar kontrabandimin e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për të forcuar më tej sistemet e menaxhimit të kufijve, azilit dhe pritjes, dhe kthimet në vendet e origjinës. Në këtë samit Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama, i cili më herët zhvilloi takime edhe me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe shefen e politikës së jashtme, Kaja Kallas. Samiti i radhës mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian do të mbahet në qershor në Mal të Zi.

