Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se nuk shkon me pritshmëri të larta në takimin me homologun rus, Vladimir Putin. Ai nënvizoi se do të pyesë shefin e Kremlinit lidhur me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se nuk ka pritshmëri të mëdha për takimin e tij me Vladimir Putin të Rusisë, që pritet të zhvillohet në Finlandë të hënën. Por ai i tha CBS News se “asgjë e keqe” dhe “ndoshta disa të mira” do të dilnin nga takimi.
Trump nënvizon gjithashtu se do të ngrejë çështjen e 12 rusëve të akuzuar për sulme kibernetike gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, por tregoi se “nuk e kishte menduar” të kërkonte ekstradimin e tyre. Rusia mohon akuzat.
Aktualisht nuk ka marrëveshje ekstradimi midis Rusisë dhe SHBA. Ka pasur thirrje në SHBA që Trump të anullojë takimin e tij me Putin lidhur me akuzat, njoftoi të premten nga Zëvendës Prokurori i SHBA, Rod Rosenstein. Rusia ka thënë se i pret bisedimet si një mjet për përmirësimin e marrëdhënieve. Presidenti amerikan tha më tej se “besonte në takime”.
“Unë mendoj se është gjë e mirë të takohemi. Unë besoj në takime”, u shpreh ai.
“Nuk mund t’iu tregoj se çfarë do të ndodhë, por mund t’iu tregoj se çfarë do të kërkoj. Dhe më pas do të shohim rezultatin”, shton kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan më tej kritikoi administratën Obama, e cila ishte në pushtet, kur ndodhën sulmet kibernetike ndaj zyrtarëve të Partisë Demokrate.
Ndërkohë, takimi i Trump me Putin do të përqëndrohet në çështje si ndërhyrja në zgjedhje, mardhëniet dypalëshe, situata në Siri dhe Ukrainë si dhe çështje të tjera me rëndësi për të dy vendet./abcnews.al