Samiti i Procesit të Berlinit, Rama: Rajoni i bashkuar, në një moment historik të ndërlikuar

schedule14:39 - 3 Nëntor, 2022

schedule 14:39 - 3 Nëntor, 2022

Kryeministri Edi Rama, është shprehur i kënaqur për nënshkrimin e 3 marrëveshjeve sot mes liderëve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Procesit të Berlinit.

Na fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kancelarin, Olaf Scholz. Rama tha se rajoni ka pritur me padurim nënshkrimin e marrëveshjeve, ndërsa tha se Shqipëria do të mikëpresë samitin e ardhshëm në Tiranë.

“Më duhet të them se të gjithë nga rajoni ishin shumë të kënaqur që ishin në Berlin. 8 vjet pasi nisi procesi i Berlinit. Merkel pati të drejtë, nëse sot kemi një rajon të bashkuar në një moment të ndërlikuar të historisë, sekreti është procesi i Berlinit. Kur u mblodhëm këtu për herë të parë nuk ishim takuar asnjëherë në atë mënyrë. Falenderoj nga zemra kancelarin gjerman. Shqipëria do të mikëpresë samitin e ardhshëm”, tha Rama.

Lexo edhe: Scholz: Do të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor në krizën energjitike. Von der Leyen: Shqipëria drejton vitin tjetër Procesin e Berlinit

Në Samitin e Procesit të Berlinit 2022 u nënshkruan sot, tre marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut; Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe Serbisë, përkatësisht:

Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor

Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore, – të cilat do t’i shërbejnë forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal.

Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel. Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit. Fusha të tjera të veprimit në kuadër të tij janë: zgjidhja e çështjeve të brendshme dhe dypalëshe, si dhe pajtimi mes shoqërive të rajonit. Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën/abcnews.al/