Samiti i parë i shoqërisë civile në rajon, Kolgega: Qytetarët më bashkëpunues se politikanët

schedule08:10 - 26 February, 2020

schedule08:10 - 26 February, 2020

I ftuar në “ABC e mëngjesit” me Enkel Demin, këshilltar në Marrëdhënie Publike pranë Fondit të Ballkanit Perëndimor, Shpat Kolgega ka folur për Samitin e Shoqërisë Civile  që do të mbahet në Tiranë. Ai u shpreh se është një organizatë që mbështet shoqërinë.

“Është një fond i financuar nga Ministritë e Jashtme të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Paratë vijnë çdo vit nga vendet tona dhe shkojnë për bashkëpunim rajonal.

Është një organizatë që mbështet shoqërisë civile. Është iniciativa e parë e firmosur nga 6 ministrat e Ballkanit, mbështetje ka edhe nga donatorë të ndryshëm. Kemi bashkëpunim edhe me Bashkimin Europian.

Sekretariati është ngritur në Tiranë me profesionstë nga Serbia, Maqedonia, Bosnja, Sllovakia, Çekia. Operon si një sekretariat i vetëm pa dallime vendesh, punojmë si një trup i vetëm. Shpërndarja e fondeve shkon në mënyrë të barabartë.

Më tej Kolgega u shpreh se shoqëria civile tashmë është më e hapur drejt ndryshimeve.

“Shoqëria civile është në një tjetër nivel bashkëpunimi, kemi një thirrje që e shpallim çdo vit për të pasur shumë e më shumë bashkëpunime.  Njerëzit janë shumë më të hapur ndaj bashkëpunimit. Do të duheshin rreth 10 milion euro për të përmbushur kërkesë që kanë organizatat e shoqërisë civile. Njerëzit janë më të hapur ndaj bashkëpunimit sesa politikanët”, tha Kolgega.

Sa të ngjashëm janë ballkanasit?

Kolgega: Janë shumë të ngjashëm, kultura, ushqimet por edhe mentaliteti është i ngjashëm. Njerëzit e Ballkanit janë të ngjashëm pavarësisht interesave që mund të shfaqen në media./abcnews.al