Samiti i Diasporës, Meta: Të ngrihemi mbi interesat për integrimin në BE

schedule13:06 - 2 Mars, 2019

schedule 13:06 - 2 Mars, 2019

A do të jetë Presidenti i Republikës negociator mes qeverisë dhe opozitës për të nxjerrë vendin nga kriza politike? Ilir Meta shmang përgjigjen direkte, por bën thirrje për bashkëpunim mes palëve.

“Besoj mesazhi i 2 marsit është më se aktual: Duhet të punojmë për bashkim dhe bashkëpunim, jo vetëm çdo 2 Mars e 28 Nëntor, por çdo ditë, në mënyrë që ta fitojmë mundësinë për çeljen e negociatave në qershor, bashkë edhe me Maqedoninë e Veriut”.

Kreu i Shtetit nuk ka pranuar të komentojë refuzimin që kryetari i Partisë Demokratike i bëri ftesës së kryeministrit për dialog, ndërkohë që apelon për reflektim.

“Nuk kam asnjë koment sot. I vetmi apel është për bashkëpunim, për bashkim, për reflektim për të parë më larg”.

Presidenti i Republikës iu përgjigj gazetarëve në Lezhe pas aktivitetit përmbyllës të Samitit të dytë të Diasporës Shqiptare që perkon dhe me 575 vjetorin e “Beslidhjes së Lezhës”, ku dhe gjatë fjalës përshëndetëse, kreu i shtetit apelin ja drejtoi klasës politike shqiptare.

Presidenti i Republikës bëri thirrje për t’u ngritur mbi interesat e ngushta dhe afatshkurtra e për t’i hapur rrugë të ardhmes europiane të shqiptarëve,  ndërkohë që si shembull mori shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Me këtë rast do të dëshiroja të shprehja falënderimin më të përzemërt për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët me aq mençuri, pavarësisht dallimeve apo pakënaqësive për çështje të caktuara të Marrëveshjes së Prespës, arritën të çelin rrugën europiane, rrugë që do të garantojë të gjithë plotësimin e të drejtave të tyre si qytetarë europianë.”

Me këtë rast, Presidenti i Republikës vlerësoi përfaqësues dhe figura të spikatura të Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!