Samiti i Berlinit: Kosovë-Serbi vazhdojnë dialogun, takohen në Paris më 1 korrik

schedule10:55 - 30 Prill, 2019

schedule 10:55 - 30 Prill, 2019

Samiti i Berlinit u mbyll me dakordësinë e Kosovës dhe Serbisë për implementimin e marrëveshjeve të arritura mes tyre si dhe për vazhdimin e dialogut, me synim normalizimin e marrëdhënieve. Makron dhe Merkel pritet të mbledhin sërish liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim të ngjashëm, në 1 korrik në Paris.

Samiti   i Berlinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Ndonëse në Samit u diskutua rreth mundësisë së vazhdimit të negociatave mes dy vendeve, pala serbe ka ripërsëritur se nuk do të vazhdojë dialogun pa u hequr taksa 100%. Kurse  pala kosovare ka theksuar sërish qëndrimin e saj, duke thënë se nuk pranon kushtëzime nga Serbia.

Samiti  i Berlinit, i organizuar me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Makron përfundoi me dakordësinë që të mbahet një takim i ri i të njëjtit format më 1 korrik në Paris.

Sipas konkluzioneve të samitit, të publikuara në faqen e Kancelarisë Gjermane,  Kosova dhe Serbia janë pajtuar t’i implementojnë marrëveshjet e arritura si dhe të vazhdojnë dialogun me ndërmjetësimin e BE-së.

Në konkluzione nënvizohet nevoja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë për stabilitetin në rajon dhe për perspektivën Europiane të dy vendeve. Të gjithë u dakordësuan se një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme e t’i shërbejë stabilitetit të rajonit.

“Serbia e Kosova u dakordësuan të përshpejtojnë përpjekjet për implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të riangazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me synim arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe definitive”,  thuhet në deklaratën e Samitit.

Vendet   e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë dakordësuar marrëveshja e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ishte një  “shembull i shkëlqyer” për zgjidhjen e një konflikti të tillë.

Palët  ranë gjithashtu dakord që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një hapësirë ekonomike rajonale në përputhje me deklaratën e Samitit të Sofjes në vitin 2018, dhe konkluzionet e Kryesisë së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër 2018./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!