Samiti i Berlinit dhe kriza në Shqipëri

schedule21:24 - 4 Maj, 2019

schedule 21:24 - 4 Maj, 2019

Samiti i Berlinit ishte zhvillimi gjeopolitik që testoi tensionin politik në Shqipëri. Kryeministri Rama mbajti një profil të ulët publik mbi atë samit që pati në fokus marrëdhënien Kosovës Serbi, si pjesë e shqetësimit Europian për të patur stabilitet në rajon. Në Tiranë, Lulzim Basha artikuloi për herë të parë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve, ndërsa presidenti Meta deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje me standarde pa opozitën. Vetë Kryeministri i ndjek jo pa vëmendje ato lëvizje.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron mblodhën të hënën e 29 Prillit në Berlin udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, për një takim informal. Formati ishte ai i Procesit të Berlinit të Gushtit 2014, iniciativë e kancelares gjermane. Franca e Gjermania, pavarësisht ulje-ngritjeve ndër vite në marrëdhënien e tyre, njihen motori i ndërtimit të Europës.

Madje miqësia franko gjermane është një nocion i njohur diplomatik, i zhvilluar paralelisht me Bashkimin Europian. Në Janar të këtij viti Merkel e Macron nënshkruan një traktat bashkëpunimi, që u pa si një thellim i marrëveshjes historike të Elysee të vitit 1963 mes presidentit Charles de Gaulle dhe kancelarit Konrad Adenhauer, për ta kthyer bashkëpunimin franko-gjerman në një realitet të përditshëm.

Merkel e Makron kanë marrë përsipër rajonin tonë e në modelin e marrëveshjes së suksesshme mes Athinës e Shkupit, synojnë një të ngjashme mes Kosovës e Serbisë. Por në atë samit dy vende të rajonit, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë në pritje për të dytin vit radhazi dritën jeshile për hapjen e negociatave të antarësimit. Dukshëm ky nuk ishte prioriteti i dyshes franko-gjermane. Për Macron prioritet është stabiliteti në rajon, si çështje europiane.

Por Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë pritshmëri për hapjen e negociatave. Rama e Zaev patën secili takime kokë më kokë me kancelaren. Në një deklaratë të shkurtër e të kujdesshme, Km nuk pati asnjë referencë për qëndrimin e Merkel për Shqipërinë. Entuziazëm nga ai takim përcolli ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj që foli për mbështetje absolute të Gjermanisë për hapjen e negociatave.

Kryeministri Zaev dukej më i pakënaquri për mungesën e një premtimi për hapje negociatash. Vendi i tij ndryshoi emrin për të arritur marrëveshjen me Greqinë, e cila u mor si model në Samitin e Berlinit për ngërçin mes Kosovës e Serbisë, por premtim nuk pati. Mediat raportuan se Zaev u kishte deklaruar interlokutorëve Merkel e Macron, se do jepte dorëheqjen nëse vendit të tij nuk i hapeshin negociatat e anëtarësimit në BE, edhe pse përmbushi kushtin që i ishte vënë për marrëveshje me Athinën. Mesazhi i Zaev për qytetarët e reflektonte këtë

Por dyshja franko-gjermane dukej kishte tjetër plan, normalizimin e marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë, duke u ndalur së pari projektin që kishte tensionuar marrëdhënien: korrigjimin e kufijve e më pas në taksën për produktet serbe. Në konkluzionet e përbashkëta të samitit evidentohet rëndësia e një marrëveshje gjithpërfshirëse, sërish me ndërmjetësimin e BE, pavarësisht kërkesave nga pala e KS për përfshirje të SHBA.

Serbia dhe Kosova janë dakordësuar të çojnë përpara përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen sërish në mënyrë konstruktive për normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Mes konkluzioneve, edhe një detyrë që dukej enkas për Mogherinin si lehtësuese e dialogut Kosovë Serbi.

Një nga ata që ka humbur besimin dhe është përplasur me Mogherinin është Kryeministri Haradinaj, që nuk u shfaq në takimin që shefja e diplomacisë zhvilloi me delegacionet në Berlin. Nëse Serbia u paraqit me presidentin Vuçiç e Kryeministren Brnabiç, nga Kosova u shfaq vetëm presidenti e zv.kryeministri.

Një ditë pas samitit, KE njoftonte se në Berlin ishte konfirmuar roli i Mogherinit si ndërmjetëse, ndërsa qëndrimi i saj 2 muaj më herët dukej se ishte harruar. Pas samitit të Berlinit, flitet për dialog, por jo kushte.

Spikati pas këtij Samiti një ndryshim në qëndrim edhe nga Presidenti Thaçi. Me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës tha se vendosja e taksës ishte e drejtë, ndërsa Serbia nuk duhej të vinte kushte.

Por palët shqiptare nuk kishin qenë unison në Berlin. Haradinaj arriti një fitore jo të vogël me kundërshtinë e tij ndaj idesë së ndryshimit të kufijve dhe vënien në pikëpyetje të taksës serbe. I dha peshë akteve të veta duke akuzuar publikisht Presidentin Thaçi e Rama për presion në samit për heqjen e taksës.

Nëse Thaçi nuk reagoi, Rama u përgjigj një ditë më vonë. Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale me titull, e vërteta ime me shumë dëshmitarë, thuhej se Haradinaj po gënjente për përfitim politik.

Por pas këtij mohimi, vinte pohimi se i tiji kishte qenë një sugjerim, që Haradinaj të pranonte propozimin Merkel Makron për pezullim të përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mbështesnin njohjen e plotë ndërkombëtarisht të Kosovës.

Ndërsa Lulzim Basha lexonte qëndrimin e Merkel e Macron, si një tjetër “jo” për hapjen e negociatave me Shqipërinë. I qartë se hapja e negociatave ka ndjeshmëri publike, Km publikoi në rrjetet sociale dy takime që i vlerësoi si pozitive për këtë proces: me Kryetaren e socialdemokratëve gjermanë, Andrea Nahles dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Johann Ëadephul.

Nënkryetari i grupit parlamentar të kancelarës, u pyet nga DW për situatën në Shqipëri e djegien e mandateve nga opozita.  Spikati në përgjigje kujdesi në koment për PD, partinë simotër në PPE. Zyrtari i lartë i grupit parlamentar të Merkel megjithatë, nuk dukej gati për një premtim për hapje negociatash

Në ditën e fundit të afatit ligjor për Koalicionet, në KQZ u regjistrua koalicioni i majtë i udhëhequr nga PS me emrin e njohur Aleanca për Shqipërinë Europiane, si dhe një koalicion i djathtë me një grup partish të vogla, me emrin “Shpresa për ndryshim”. 13 maji është afati për regjistrimin e kandidatëve, e atë ditë socialistët do zyrtarizojnë kandidatët për 61 bashkitë.

Të paktën publikisht palët duken ekstremisht larg: Kryeministri që përgatitet për zgjedhje e opozita që përgatitet për protestë të shtunën e 11 Majit para selisë së qeverisë dhe bojkot zgjedhor.

Sytë mbeten nga presidenti i Republikës. A do arrijë Ilir Meta të ulë palët në tryezë, e a do e ndërmarrë aktin e shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa afatet për 30 qershorin e dekretuar prej tij po skadojnë njëri pas tjetrit për opozitën?/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!