Samiti G7, mes Amazonës dhe Iranit

11:38 | 31/08/201911:380

Samiti i G7-ës në Francë u karakterizua nga debatet mes Brazilit dhe Francës për situatën e zjarreve në Amazonë, por dhe nga prania surprizë në minutë të fundit e Iranit.

Emmanuel Macron kishte hequr dorë që në fillim nga deklarata e përbashkët për shtyp, në këtë mënyrë samiti i Biarritz mund të mbyllej në qetësi, pa ofendimet dixhitale dhe verbale që një vit më parë kishin rrethuar liderët e mbledhur në Sharlevua.

Asnjë nga pjesëmarrësit u përpoq të blinte dy gjysmat e vendit bask, në Francë dhe Spanjë, dhe t’i bashkonte në një komb të ri ku nuk taksohet interneti dhe monedha e përbashkët është SËRFI.

Boris Xhonson dhe Donald Trump nuk debatuan se kush do të vendoste këmbët mbi tryezën e punës gjatë mëngjesit të së dielës. Jelekët e verdhë dhe lëvizjet anti globale manifestuan në Bejon me parulla të padëmshme dhe pse ishin shumë më të pakët në numër krahasuar me forcat e rendit.

Për pjesën tjetër samiti i G7 –ës ishte një sukses i paralajmëruar dhe nga analistët.

Asnjë identitet i fortë nuk u shfaq në qëndrimet për Rusinë, të cilën administrata amerikane do të donte ta ftonte në 2020-ën kur të ketë presidencën. Pa pretenduar nga Vladimir Putin progrese për Krimenë, Donbass dhe respektimin e të drejtave politike në Rusi.

Ndryshimet e dukshme për sa i përket qasjes ndaj Iranit, sepse evropianët janë të pavendosur për ndërprerjen e dialogut me Teheranin dhe nuk i besojnë alarmeve të dhëna nga Uashingtoni.

Dhe kjo u tregua qartë me takimin e kreut të diplomacisë Zhan Ivs Lë Drian me homologun Iranian Javad Zarif. Takim që ndoshta do të hapë rrugë për një takim në nivel presidentësh mes Donald Tramp dhe Rohanit, por ndoshta jo.

Ndërsa për sa i përket Hong Kongut dhe Sirisë nuk pati asnjë bisedë.

Duke u zhvendosur në terren ekonomik, përballë rrezikut konkret të një rënieje në nivel global, nuk u dha asnjë ide. Uashington do të kishte dëshiruar një dënim të qartë për manipulimet kineze por asnjeri nuk e ndoqi Uashingtonin.

Kjo pasi Evropa ka nevojë për mbështetjen e Pekinit për të realizuar pa pengesa emërimin e Kristalina Xhergieva në krye të fondit monetar ndërkombëtar.

Në këtë pikë teksa kreu i shtëpisë së bardhë këmbënguli në të drejtën e vendosjes së tarifave ndaj kinës, gjashtë vendet e tjera theksuan domosdoshmërinë e një dialogu të frytshëm me Pekinin për të reduktuar pengesat për tregtinë dhe investimet.

Ajo që mbeti e pandryshueshme ishte frika për një zgjerim të mëtejshëm në Evropë të luftës së tarifave.

Por nuk do të ishte e drejtë të harroheshin disa nga temat mbi të cilat presidenti francez Macron kaloi si pa dashur: Situata e zjarreve në Amazonë dhe pabarazitë në planet. Por të flasësh për rezultate konkrete është gjë tjetër.

Dhe pse u ra dakord që duhen mbrojtur vendet nga shkatërrimi i pyjeve nuk u fol për një strategji afatgjatë. Pozitiv ishte dhe fakti që kryeministri britanik Boris Xhonson pavarësisht Brexit, kësaj here u rreshtua në anën e evropianëve.

Por të fajësosh Trump për gjithçka do të ishte e tepërt. Tashmë nuk ka asnjë mundësi për të pasur dyshime rreth politikës së jashtme të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Ai synon të marrë gjithçka për Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa u shqetësuar fare për pasojat që mund të ketë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Trump vijon të kërkojë protagonizmin dhe nëse kjo nënkupton prishjen e protokolleve dhe marrëveshjeve që janë arritur me shumë vështirësi. Gjithsesi kritika e tij ndaj presidentit Macron se mbushi axhendën me tema të reja dhe jo tradicionale për G7-ën, qëndron.

Analistët këmbëngulin se e vërteta është se G7 është gjithnjë e më shumë një format ku shtatë personazhe kërkojnë një skenar për të lexuar. Së pari sepse vendet që e përbëjnë nuk mund të pretendojnë më të kenë lidershipin ekonomik – financiar global që mbanin në kohën e themelimit të G7-ës në vitin 1975.

Për këtë arsye ekziston G20, që ka problemet e tij të efikasitetit, por gjithsesi më pak në planin e legjitimitetit. Nëse G7 synon të mbijetojë, atëherë duhet të rilidhë fijet e të kaluarës: pak tema mbi të cilat vërtet mund të shënojë ndryshimin, të dhëna të qarta dhe më shumë kohë në dispozicion për të diskutuar rreth progresit në arritjen e objektivave, në vend që të shtohet nga një i ri çdo vit.

Në mënyrë të kundërt do të ishte më mirë që të kursehej shuma e madhe e parave për organizimin e tij. Samiti i G7-ës në Biarritz të Francës kushtoi minimalisht 36 milion euro.

Presidenti francez, Emmanuel Macron investoi shumë punë e kapital politik, me qëllim që samiti i G7-s në Biarritz të mos dështonte plotësisht. Ai ftoi politikanë të paplanifikuar dhe vendosi tema të tjera në axhendën e ditës, për të thyer këtë format të skematizuar.

Macron ia doli vërtet të nxjerrë jashtë loje, Donald Trump, presidentin kokëfortë dhe gjithmonë kundër në politikën e Iranit. E ky nuk është sukses i vogël, sepse Donald Trump u tregua në Biarritz edhe një herë si mik i keq, që e shihte si shaka të çorientonte mediat dhe vëzhguesit me politikën e tij tregtare.

Nga ana tjetër ai ankohej për mediat që raportonin, se ka tensione në samit.

Presidenti francez ftoi ministrin e Jashtëm iranian, Mohamed Dzhavad Sarif si të ftuar surprizë dhe filloi në kuadër të takimit një iniciativë diplomatike.

E ai e bëri këtë nën hundën e Donald Trump, që reagoi me zemërim dhe theksoi, se linja e ashpër e SHBA është strategjia e vetme e duhur. Macron nuk u impresionua shumë nga kjo, dhe u takua personalisht me Sarif për të parë mundësitë diplomatike për zgjidhje të reja.

Edhe për djegiet e pyjeve në Amazonë, Macron gjeti levën e duhur. Ai kërcënoi në fillim presidentin brazilian, Bolsonaro me mos ratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të BE me vendet amerikano-latine, nëse ai nuk do të ndalte zjarr vënien në mushkërinë e gjelbër të planetit.

E në samit ai arriti të merrte premtime nga pjesëmarrësit e tjerë, që t’i ofronin Brazilit e vendeve të tjera përreth ndihma konkrete në shuarjen e zjarreve.

Përkundër kësaj, Gjermania nuk po bën një figurë të mirë. Duket sikur perëndimi politik në Berlin i Angela Merkelit ka paralizuar edhe përvojën dhe vullnetin drejtues të kancelares.

Dobësia e saj çon në ndërrimin e shtabit në BE. Që në zgjedhjen e presidentes së Komisionit Evropian, Macron ishte në rolin e një vendim marrësi. Tani ai po kthehet në liderin e fortë të Evropës.

Por qeveria braziliane këmbëngul në refuzimin e ndihmës së G7-ës prej 20 milion dollarësh në kuadër të ndihmës për situatën e zjarreve në Amazonë.

Për momentin nuk është thënë ende një arsye e qartë për sa i përket refuzimit, përveç deklaratës së presidentit Bolsonaro sipas të cilit oferta në fjalë është një formë kolonizimi.

Por ministri Brazilian i ambientit nga ana e tij disa ditë më parë deklaroi se një ndihmë e tillë ishte e mirëpritur. Presidenti Brazilian Bolsonaro vë në dyshim të dhënat ndërkombëtare për situatën në Amazonë.

Oniks Lorenconi, kreu i stafit të presidentit Brazilian Bolsonaro zyrtarizoi refuzimin e ndihmave duke thënë se falënderonte G7-ën për ofertën por kjo shumë do të ishte më e përshtatshme po të përdorej për pyllëzimin e Evropës.

Llorenconi kritikoi në mënyrë të ashpër presidentin francez Emanuel Macron për zjarrin që në muajin prill shkatërroi Notre Dam. Ai u shpreh se Macron nuk mund të shmangë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë botërore, dhe nuk mund ti japë leksione Brazilit.

Ndërkohë pamjet satelitore tregojnë një situatë kritike në Amazonë, me tymin që ka mbuluar një sipërfaqe të madhe.

Ndërkohë vendet e Amerikës së Jugut do të mblidhen për të diskutuar se si t’i japin një përgjigje të koordinuar situatës në Amazonë. Lajmin u konfirmua nga presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, sipas të cilit samiti do të zhvillohet më 6 shtatorin e ardhshëm.

Sipas Bolsonaro, të gjitha vendet që përfshihen në rajonin e Amazonës, me përjashtim të Venezuelës, do të jenë të pranishme në samit.

Presidenti brazilian vendosi si kusht për pranimin e ndihmës prej 22 milionë dollarësh të vendeve të G7-s menaxhimin e shumës nga qeveria braziliane.

Deri tani kreu i shtetit latin ka pranuar vetëm ndihmën e Kilit, që ka ofruar 4 avionë për të luftuar flakët nga ajri. Ndërkohë, guvernatorët e rajoneve më të prekura nga flakët e Amazonës i kanë bërë thirrje Bolsonaros që të rishikojë qëndrimin e tij ndaj ndihmës së ofruar nga vendet e G7-s./ABC News Albania 24/7


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Të lidhura

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono