Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “të dobët” reagimin ndaj letrës së hapur që i drejtoi presidentit rus, Vladimir Putin, më herët gjatë javës
“Fatkeqësisht, pala ruse zgjodhi sërish luftën. Të gjithë e dëgjuan përgjigjen sot. Ishte një përgjigje e dobët”, tha Zelensky në një video-mesazh të publikuar në platformën sociale amerikane X.
Duke akuzuar homologun e tij rus se nuk po kërkon t’i japë fund luftës në Ukrainë, Zelensky tha se mendon se shumë njerëz në mbarë botën janë zhgënjyer nga përgjigjja e Putin ndaj letrës së tij të hapur.
Komentet e presidentit ukrainas erdhën pasi homologu i tij rus në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (SPIEF) deklaroi se aktualisht nuk sheh arsye për të zhvilluar një takim me Zelensky.
Duke folur në seancën plenare të forumit, Putin tha se letra e hapur që i ishte drejtuar përmbante “elemente vrazhdësie”.
“A është kjo një mënyrë për të krijuar kushte për takime dhe negociata personale apo po krijon një mjedis ku takimet personale bëhen vërtet të pamundura? Unë mendoj se është kjo e fundit”, u shpreh Putin.
I pyetur nëse një takim me Zelensky ishte i mundur, Putin u përgjigj se nuk “sheh arsye për t’u takuar”, duke pretenduar se e “vetmja arsye për palën ukrainase është të ndalojë përparimin e forcave tona të armatosura, kaq”.
Në një letër të hapur të publikuar, Zelensky bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Putin dhe tha se Ukraina është e gatshme të respektojë një armëpushim gjatë kohës së negociatave, mes çështjeve të tjera.


