Kancelari gjerman, Friedrich Merz, njoftoi sot se Gjermania do të kandidojë sërish për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mandatin 2035-2036, vetëm dy ditë pasi Berlini dështoi të sigurojë një vend në votimin më të fundit.
Kancelari Merz e bëri njoftimin në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat.
Në votimin e zhvilluar të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Gjermania u mund qartë nga Austria dhe Portugalia në raundin e parë për vendet jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme.
Gjermania mori vetëm 104 vota, ndërsa për t’u zgjedhur nevojiteshin të paktën 127 vota, që përfaqësojnë dy të tretat e 193 shteteve anëtare të OKB-së. Portugalia siguroi 134 vota, ndërsa Austria 131.
Gjermania ka qenë gjashtë herë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, herën e fundit gjatë periudhës 2019-2020. Kjo ishte hera e parë që Berlini dështoi në një përpjekje për të siguruar një vend në organin më të rëndësishëm të sigurisë së OKB-së.


