Gjykata e Apelit të përgjithshëm dënoi me 1 vit burg Deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për akuzën e kallëzimit të rremë.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se e vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte.
Sipas Ramës, një drejtësi e re ka lindur dhe po fillon të godasë majtas e djathtas, duke ecur drejt në rrugën e ligjit të barabartë për të gjithë.
“Pas 34 vjetësh sovranitet të pakufizuar si një shtet brenda shtetit, Mbretëria e vetëshpallur e Shpifarakëve ka cënuar mijëra e mijëra jetë njerëzish e familjesh dhe ndotur përditë e përditë mjedisin publik të Shqipërisë, duke llahtarisur të madh e të vogël me jashtënxjerrjet e gojëve të shthurrura të mexhelisit tonë politik e mediatik, përmes abuzimit ekstrem me Lirinë e Fjalës dhe triumfit të Lirisë së Shpifjes si një kancer i përbindshëm shoqëror, i cili e ka epiqendrën e vet në organin jetik të kuvendarëve të Shqipërisë, ku ata që i kanë bërë ligjet kundër shpifjes (dhe e kanë ligjëruar kallzimin e rremë si vepër penale kundër drejtësisë) janë edhe shkelësit më të egër e sypatrembur të tyre.
Në këtë vend ku për 34 vjet nuk ka mbetur i gjallë e i vdekur pa u ndotur nga llumi i lumit të atyre jashtënxjerrjeve të përditshme, e ku gjyqet e panumërta për shpifje ndaj politikanëve zgjasin me vite të tëra e pastaj kthehen në pesë me hiç kur shpifësit dënohen me ca gjoba simbolike, duke luajtur rolin e viktimave të një regjimi imagjinar dhe duke shpifur edhe më keq sapo marrin dënimin qesharak, sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallzimit të Rremë, lidhur me një histori që përpara disa vjetësh tronditi mbarë opinionin publik përmes një inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të të tremburve nga një Drejtësi e Re; e cila ka lindur e po rritet më në fund jashtë duarve të politikës që e kontrolluan drejtësinë qysh prej shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, ku kurrë asnjëherë një individ me pushtet politik nuk u dënua nga një drejtësi e pavarur, deri kur Drejtësia e Re filloi të godasë majtas e djathtas, duke ecur drejt në rrugën e ligjit të barabartë për të gjithë!
E Vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën.
Ne socialistët në qeveri, kemi hequr dorë prej vitesh nga çdo gjyq për shpifje kundër gazetarëve dhe kjo nuk do të ndryshojë për shumë arsye, por nëse dëmet morale e dhimbjet e patregueshme të familjeve tona që vijnë nga aktorë të paskrupullt mediatikë, jemi gati t’i mbajmë në kurriz si kosto të lirisë së të gjithë aktorëve të medias, nuk jemi dhe s’do të jemi kurrë gati të tërhiqemi nga proceset gjyqësore kundër shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës. Padiskutim që kjo është një luftë krejt e pabarabartë, ku në këtë rast shumica qeverisëse është një pakicë e papërfillshme përballë maleve e lumenjve të Shpifjes, por ne nuk do ta pranojmë kurrën e kurrës Mbretërinë paralele të Shpifarakëve si një pasojë fatale të bashkëjetesës në një shtet demokratik”, ka shkruar Rama.
Pas 34 vjetësh sovranitet të pakufizuar si një shtet brenda shtetit, Mbretëria e vetëshpallur e Shpifarakëve ka cënuar mijëra e mijëra jetë njerëzish e familjesh dhe ndotur përditë e përditë mjedisin publik të Shqipërisë, duke llahtarisur të madh e të vogël me jashtënxjerrjet e…
— Edi Rama (@ediramaal) September 26, 2024
/abcnews.al