“21 Janari”, Tahiri në SPAK/ Ish ministri: Dhashë sqarime si një nga kallëzuesit e vrasjeve

schedule10:53 - 1 Nëntor, 2024

schedule 10:53 - 1 Nëntor, 2024

TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është thirrur të premten në prokurorinë e posaçme në lidhje me hetimet për vrasjet e 21 janarit ku humbën jetën 4 protestues. Tahiri qëndroi për më shumë se 1 orë e 30 minuta në SPAK dhe deklaroi se dha sqarime si person që ka dijeni për ngjarjen e ndodhur 13 vite më parë. Tahiri u pyet si ish-kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën dhe si një ndër organizatorët e protestës.

Po ashtu Tahiri është pyetur edhe si ish-ministër i Brendshëm për kallëzimin e depozituar në vitin 2015 ndaj Lulzim Bashës për shpërdorim detyre. Në atë kohë shërbimi i kontrollit të brendshëm konstatoi ndërhyrje në librin e shërbimit të gardës dhe u dyshua se Basha në cilësinë e ministrit ka dhënë urdhër për ngritjen e helikopterëve dhe hedhjen e gazit lotsjellës në drejtim të protestuesve.

“U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 janar dhe për kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. I qëndroj pikë për pikë atyre që kam thënë dhe nuk kam çfarë të shtoj. Të tjerat janë pjesë e hetimit. Unë kam qenë protestues. Të gjithë kemi qenë protestues, pjesët e tjera i takojnë hetimit. Shpresoj shumë, është një ngjarje që duhet zbardhur. Shpresoj shumë të zbardhet.”, tha ai.

Një ditë më parë në prokurorinë e posaçme u pyet për vrasjet e 21 janarit edhe deputeti socialist Xhemal Qefalia ndërsa më herët kanë dhënë sqarime, ish-drejtuesit e lartë të policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçi. SPAK po kryen hetime për vrasje në rrethana cilësuese të kryer në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Ndërsa hetimet nisën pas vendimit të gjykatës së lartë dhe me kërkesë të familjarëve të viktimave, që dyshojnë se të përfshirë në vrasje rezultojnë funksionarë të lartë shtetërorë përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të gardës së Republikës./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!