Saimir Tahiri dorëzon mandatin e deputetit

schedule10:46 - 3 Maj, 2018

schedule 10:46 - 3 Maj, 2018

“Unë nga sot dorëzoj mandatin tim të deputetit. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do jem deputet”.

Po cilat janë arsyet që e çuan ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, të dorëzojë mandatin e deputetit? Heshtjen që e ka shoqëruar këto  6 muaj e theu pas akuzës më të fundit, mbajtjen peng të integrimit të shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndonëse nuk e pranon.

“Nqs është e vërtetë sa pashë në media se paska edhe në Evropë deputetë palaço si ky Luli e këta që kemi këtu, që marrin guximin bëjnë prokurorin e gjyqtarin, siç ka ambasadorë këtu që e marrin përsipër, atëherë ajo është Evropa që unë nuk zgjedh as sot e as kurrë. Unë e di që politikanë pa kocka e pa bythë, këtë vend e kanë shitur qindra herë, e po të donin shqipërinë sa ç’duan një përkëdhelje koke nga ca të huaj, ky vend nuk do ishte ky që është.”.

Sot Saimir Tahiri ndjehet se është i vetmi që është vënë para drejtësisë. Të tjerë duhet të ishin në vendin e tij.

“Duke mbyllur gojë, duke blerë heshtje, në pazarin e madh bodrumeve të parlamentit ku bien dakort njeri mos merret me të shkuarën e tjetrin, tjetri mos merret me të tashmen e njërit. Duke blerë media, portale, sondazhe. Në Shqipëri e jashtë Shqipërisë. Ku një artikull ku shahem unë, pasohet nga një tjetër ku lavdërohet ai që e ka paguar. Duke blerë të huaj, ambasadorë e deputetë. Duke blerë e shitur gjithçka, në kurriz të njerëzve hallexhi të këtij vendi. Kështu ia hodhën. Dhe më bëjnë mua moral”.

Nuk sulmoi vetëm opozitën por edhe pasardhësin e tij në ministrinë e brendshme Fatmir Xhafaj.

“Edi Rama i falenderoi për kontributin opozitar. Ndërsa pasardhësi im në detyrë, me akuzat për policinë e kriminalizuar, ia kaloi edhe Saliut edhe Lulit. Rri e dëgjoj garën se kush e gjen e kush e kap peshkun e madh. Ca thonë banda është në pushtet, ca në parlament, ambasadorë lart e poshtë flasin për mafiozë dhe banda shqiptare, edhe ministri brendshëm numëron në televizor bandat, një tmerr për të marrë valixhet e për të ikur. Ka më shumë kriminalitet në Itali, po askush nuk numëron bandat në televizor”.

Policia që ka drejtuar nuk duhet të ishte sot në sitën e vettingut në këtë formë që po bëhet, madje para uniformave blu duhet të ishin politikanët, sipas Saimir Tahirit.

“Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve e votuan si dele, me dy ambasadorë që për turpin tonë na duartrokisnin mbi kokë. Tani bëjnë edhe Vetingun për policët e shkretë”.

Gishtin e kritikave e drejton nga e gjithë mazhoranca për zgjedhjen e ish-kreut të SHISH, Visho Ajazi Likës si ambasador në NATO.

“Njëri sot është në hetim. Tjetri, Visho Ajazi i SHIK-ut të Saliut, për turpin e madh sot është ambasador i propozuar po nga qeveria për të cilën unë shërbeva”.

Nuk ndalet Saimir Tahiri të jetë kritik edhe ndaj vetë kryeministrit EdI Rama.

“Ta dini për statistikë: Hapni shifrat e GdF, në 4 vjet të qeverisë ku shërbeva edhe unë, ti mbledhësh bashkë, kultivimi i hashashit është më pak sesa vetëm 1 vit i Sali Berishës kur ishte Kryeministër. Nuk e thotë njeri këtë. Për fat të keq as deputetët e PS. As ministri i brendshëm se ka përmendur kurrë. As kryeministri jo”.

Madje në një formë paralajmërimi i thotë kreut të qeverisë e të tjerëve se ai vetë është sjellë ndryshe kur e kanë këshilluar se si ti shpëtojë situatës që ka sot me drejtësinë.

“Njëri vinte e më sugjeronte të thoja se nuk isha unë por ishte Edi Rama kokë e trafikut të drogës. Kështu shpëtoja veten nga të gjitha. Tjetri më këshillonte të mos flisja shumë, se nuk është çështje nervash kjo, por llogarish. Kështu e ka politika.

Unë heshta. Tregëtarët e gënjeshtrave dhe pazarxhit e politikës dolën në treg”.

Nga kjo ditë Saimir Tahiri i dorëzohet si qytetar i thjeshtë drejtësisë.

“Ja ku më keni, si qytetar të thjeshtë”.

Fjala e tij e fundit është paralajmërimi se ky është vetëm fillimi i të vërtetës së Saimir Tahirit.

“Ora e të vërtetës sime ndoshta nuk është larg. E po kështu për të gjithë, një orë do jetë ku secili të ketë të vërtetat e veta përpara fytyrës e do japë llogari. Deri atëherë, unë jam këtu. Se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, është veç e para”.