Presidenti i skuadrës së Kukësit Safet Gjici ndoqi nga afër punimet në stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe u shpreh optimist se impianti do të jetë gati brenda verës. Numri një i klubit verilindor beson se Kukësi do të fitoje në duelin e kësaj të shtunë ndaj Tiranës.
Futbollit shqiptar së shpejti do t’i shtohet një tjetër stadium modern me standarte europiane. Bëhet fjalë për impiantin e Kukësit që është në fazat fillestare të punimeve. Presidenti i skuadrës verilindore Safet Gjici zbuloi se punimet vijojnë me intensitet të lartë dhe do shpresohet që të hapë dyert për tifozët në fillimin e edicionit të ardhshëm.
“Punimet nuk janë ndërprerë në asnjë moment, edhe pse temperaturat kanë qenë të ulëta. Po punohet me ritëm të lartë, që stadiumi të mbyllet brenda afateve. Na intereson cilësia dhe deri më tani është brenda parametrave që ka projektin.
Besojmë se brenda dhjetorit të mbyllen punimet betonarme dhe më pas të vazhdohet me rifiniturën. Jemi optimistë se do mbyllet stadiumi brenda verës që vjen, pasi e dini që kemi vështirësi me faktin që luajmë jashtë. Tifozët presin ta shohin ekipin në fushën e tyre”.
Një koment edhe për ndeshjen e radhës që Kukësi e luan ndaj Tiranës. “Në fakt ekipi i Kukësit është i kompletuar tashmë, nuk kemi dëmtime. Pres që me Tiranën të marrim një rezultat pozitiv, të fitojmë. Patjetër që ne Tiranës ia kemi marrë dorën, por kjo ndeshje do tregojë që ekipi i Kukësit është rikthyer frikshëm në kampionat.
Vështirësitë janë, pasi edhe Tirana ka ekip të mirë. Do jetë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet, por kam bindjen se Kukësi do tregojë vlerat reale. Tani varet nga fusha, ajo vendos rezultatin. Kam bindjen se ne do e fitojmë këtë ndeshje”, ka deklaruar Gjici për mediat. /abcnews.al