Sadedini: Nuk kam lidhje me ultimatumet, djemtë po japin zemrën

schedule20:13 - 18 Tetor, 2019

schedule 20:13 - 18 Tetor, 2019

Flamurtari u mposht nga Teuta dhe vijon të qëndrojë në fund të tabelës së klasifikimit. Pas ndeshjes, trajneri Dritan Sadedini, në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, deklaroi: “Luajtëm si të barabartë. Ky është futbolli. Mundohemi të rritemi në lojë dhe të marrim pikë. Kjo është detyra jonë”.

“I kemi nisur përgatitjet me vonesë. Po mundohemi dita-ditës, por është e vështirë t’i ngarkosh çunat. I falënderoj çunat, që po japin shpirtin dhe zemrën për ekipin”, shtoi trajneri vlonjat.

“Topi i kthyer? Ka momente që ndihet lodhja. Nuk i vë faj Pjeshkës dhe çunave. Janë momente që mund të gabojnë, në lodhje e sipër. I përgëzoj për lojën që bënë sot”.

“Ultimatum për 6 pikë? Problemet dihen për ne. Nuk di çfarë shkruhen në gazeta. Nuk kam lidhje me ultimatumet. Unë përgatis çunat, kjo është detyra ime. Nuk i lexoj shumë gazetat. Nuk ka asnjë presion nga presidenti. Përpiqemi të punojmë, edhe ai përpiqet të na e bëjë punën më të lehtë”.

“Sukaj? Kemi vetëm një Xhevahir, ndaj e fusim në lojë. Mund ta fusja për 20 minutat e fundit. Flas me të dhe e zgjidhim në këtë mënyrë. Presim prej tij, ne kemi vështirësi në çdo sektor”.

Rënia nga kategoria? Jemi në momente të vështirë. Kemi pasur mundësi, por fati na ka munguar. Ekipi ka dhënë më të mirën. Unë kam pasur besim gjithmonë”. /abcnews.al