“Russigate”, drejtësia amerikane ngre akuzë ndaj 13 shtetasve ruse

schedule21:14 - 16 Shkurt, 2018

schedule 21:14 - 16 Shkurt, 2018

Pas një hetimi relativisht të gjatë dhe me pengesa, autoritetet amerikane të drejtësisë kanë ngritur akuzë ndaj 13 shtetasve rusë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, me qëllim favorizimin e kandidaturës së presidentit Donald Trump.

Trembëdhjetë shtetas rusë janë akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të një hetimi masiv të FBI-së. Tre nga personat në fjalë akuzohen për komplot për kryerjen e përgjimeve, ndërsa pesë të tjerë për vjedhje identiteti në rrethana rënduese. Njoftimi për ngritjen e akuzave është bërë nga drejtuesi i grupit të posaçëm hetimor të “Russiagate”, Robert Mueller.

Gjithashtu, në këtë padi janë përfshirë edhe tre kompani ruse. Të pandehurit akuzohen se kanë përdorur sisteme kompjuterike në Shtetet e Bashkuara për të fshehur origjinën ruse të aktiviteteve të tyre. “Të pandehurit, duke u hequr si shtetas amerikanë dhe duke krijuar identetete të rreme amerikane vepruan në faqet e mediave sociale për të tërhequr audiencën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në një komunikatë zyrtare.

Të akuzuarit masnin në mënyrë sistematike ecurinë e postimeve të tyre në internet dhe përmirësonin strategjitë me qëllim rritjen e ndikimit të tyre. Sipas autoriteteve amerikane, ata kishin nisur planet për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale që në fillim të vitit 2014 dhe dy vjet më vonë përdorën identitetet fiktive duke realizuar planet e tyre.

“Ata u angazhuan në operacione keqinformimi në dëm të kandidates Hillary Clinton, për të denigruar kandidatë të tjerë si Ted Cruz apo Marco Rubio, si dhe për të mbështetur kandidatët e tjerë Donald Trump dhe Bernie Sanders”, vijon njoftimi. Në një konferencë për shtyp, nënprokurori i përgjithshëm Rod Rosenstein ka thënë se qëllimi i rusëve ishte çakordimi i opinionit publik në Shtetet e Bashkuara./abcnews.al