Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sulmuar prokurorin special, Robert Mueller, duke thënë se hetimet për “Russiagate” nuk duhej të kishin nisur kurrë. Ndërkohë, mediat amerikane njoftojnë se ish-numri dy i FBI-së që u shkarkua sëfundmi ka dhënë informacione për Mueller, që mund të çojnë në akuzimin e Trump për pengim të drejtësisë.
“Hetimet e prokurorit special, Robert Mueller, nuk duhej të kishin nisur kurrë. Është bazuar në aktivitetet mashtruese dhe dosierët falsë të paguar nga Hillary Clinton dhe nga demokratët. Kjo është një gjueti shtrigash”. Kështu shprehet presidenti amerikan, Donald Trump që rikthehet në kritikuat kundër hetimeve për çështjen “Russiagate”.
Reagimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë vjen pas shkarkimit të numrit dy të FBI, Andrew Mccabe. Mediat amerikane raportojnë se ky i fundit është takuar me Mueller dhe i ka dhënë prokurorit special shënime lidhur me bisedën që ka pasur me presidentin Trump për hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Gjithashtu raportohet se këto shënime mund të mbështesin akuzat se Trump kërkoi të pengonte drejtësinë.
Mccabe u shkarkua nga shefi i Departamentit të Drejtësisë, Jeff Sessions, këtë fundjavë pas një hetimi të brendshëm në FBI. Zyrtari i administratës Trump e arsyetoi këtë vendim duke thënë se Mccabe ka bërë zbulime të paautorizuara për mediat. Ky i fundit, për pak ditë do të festonte datëlindjen e 50-të dhe do të dilte në pension federal.
“Është momenti të mbyllen hetimet për ‘Russiagate’ pasi është ideuar dhe motivuar politikisht që nga fillimi”. Kështu u shpreh avokati i Trump, John Dowd, duke i kërkuar zëvendësministrit të drejtësisë Rod Rosenstein që të ndjekë shembullin e Jeff Sessions. Këto janë fjalë që bëjnë thirrje për shkarkimin e Mueller, i nominuar pikërisht nga Rosenstein, i cili ka dhe autoritetin për ta shkarkuar.
Ndërkohë, demokratët sulmojnë administratën Trump dhe flasin për pengim të drejtësisë dhe abuzim me pushtetin. Në këtë mënyrë, Shtëpia e Bardhë, e detyruar nga rrethanat, u distancua nga deklarat e avokatit të Trump duke thënë se ai “ka folur për llogari personale”./abcnews.al