Republikanët kanë paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump, lidhur me zërat se po përgatit shkarkimin e prokurorit special, Robert Mueller, që heton për çështjen “Russiagate”. Një senator thotë se nëse kjo është e vërtetë do të jetë fundi i presidencës Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është paralajmëruar nga zyrtarët republikanë, kundër ndërhyrjes tek hetimet e prokurorit special, Robert Mueller. Kjo vjen pas një sulmi, që kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri investigimit të Mueller, lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në 2016-n. Në disa mesazhe në Twitter, Trump ripërsëriti se nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë mes ekipit të tij dhe Kremlinit. Gjithashtu e cilësoi hetimin si “gjueti shtrigash”.
Mueller, i cili është një ish-drejtor i FBI-së shumë i respektuar, i përket bindjeve republikane.
“Prokurori Special Mueller i ka shërbyer vendit tonë me ndërshmëri dhe integritet. Është thelbësore, që ai të lejohet të përfundojë hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-s”, thotë republikani John McCain.
Ndërsa, senatori tjetër i kësaj partie, Lindsey Graham, shpreh mbështetjen për vazhdimin e hetimeve të Mueller pa ndikime të jashtme dhe thotë se qëndrimi i tij është i njëjtë si i shumë republikanëve të tjerë. Madje, përfaqësuesi i Karolinës së Jugut paralajmëroi Trump për një përpjekje të mundshme për shkarkimin e Mueller.
“Nëse ai përpiqet ta bëjë atë, do të jetë fillimi i fundit të presidencës së tij, pasi ne jemi një komb me sundimin e ligjit”, tha Graham.
Polemikat për këtë çështje, vijnë edhe pas komenteve të avokatit të Trump, John Dowd, i cili tha se është koha që hetimi i Mueller të përfundojë. Fillimisht ai tha se po flet në emër të presidentit, por më pas sqaroi se bëhej fjalë për një mendim të vetin personal. Këto polemika vijnë pas shkarkimit të zëvendësdrejtorit të FBI, Andrew McCabe.
Ky i fundit ka mbajtur shënime për bisedat që ka pasur me Trump dhe mediat raportojnë se ia ka dorëzuar ato prokurorit Special Mueller. Ka dyshime se presidenti amerikan mund të akuzohet për pengim të drejtësisë./abcnews.al