Rusia sulmon me dronë dhe raketa Ukrainën, shkon në 12 numri i të vdekurve

schedule10:33 - 29 Dhjetor, 2023

schedule 10:33 - 29 Dhjetor, 2023

Rusia ka kryer një ndër sulmet më të rënda ajrore të këtij viti ndaj Ukrainës këtë të premte duke lënë të vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur të paktën 60 të tjerë.

158 raketa dhe drone u përdorën për të  goditur rajone të ndryshme në jug , perëndim dhe lindje të Ukrainës përfshirë edhe Kryeqytetin Kievin ku një magazine e madhe u përfshi nga flakët.

Pas një natë alarmesh, u raportuan 3 shpërthime të fuqishme në qendër të Kievit. Autoritetet thonë se më shumë se 10 drone Shahed të prodhuar nga Irani goditën qytetin perëndimor të Lviv, ndërsa Sumy në veri-lindje u godit nga bombardimet përtej kufirit.

Zyrtarët në Odesa thonë se një ndërtesë shumëkatëshe mori flakë pasi u godit nga një dron. Janë regjistruar gjithashtu disa shpërthime në qytetin verilindor të Kharkiv. Deri më tani raportohet për disa të lënduar.

Kjo vjen një ditë pasi Presidenti Zelensky falënderoi SHBA-në për paketën e fundit të miratuar të ndihmës ushtarake prej 250 milionë dollarësh, e cila përfshinte municione të mbrojtjes ajrore.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka postuar në X duke thënë se objektet arsimore, një repart materniteti dhe shtëpi private ishin ndër ndërtesat e goditura në sulmet ruse në disa qytete të Ukrainës.

Shifrat e fundit të viktimave dhe të plagosurve nga e gjithë Ukraina

-Në Kiev dy janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur

-Një person ka humbur jetën në Lviv dhe nëntë të tjerë janë plagosur

-Pesë kanë vdekur në Dnipro pas një sulmi në një qendër tregtare, 15 të tjerë janë plagosur

-Në qytetin port të Odesa dy kanë vdekur dhe të paktën 15 të tjerë janë plagosur

-Një person është vrarë pas bombardimeve në Kharkiv, të cilat kanë plagosur të paktën nëntë të tjerë

-Në Zaporizhzhia një person është vrarë pas sulmeve në infrastrukturë dhe 10 janë plagosur

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!