Rusia shpërfill SHBA dhe Izraelin

schedule23:25 - 2 Tetor, 2018

schedule 23:25 - 2 Tetor, 2018

Rusia ka vendosur të shpërfillë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dhe ka dërguar raketat “S-300” në Siri. Dy vendet kishin shprehur shqetësimin se një lëvizje e tillë do të përshkallëzonte konfliktin sirian, por duke raportuar para presidentit Putin, ministri rus i Mbrojtjes ka deklaruar se misioni u krye.

Rusia ka dërguar raketat e kontestuara S-300 në Siri, dy javë pasi një avion rus zbulimi u qëllua dhe humbën jetën 17 ushtarakët që ndodheshin në bord. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka deklaruar se tre sisteme luftarake kanë mbërritur në Siri të hënën.

Avioni rus që kryente operacione mbikëqyrjeje u qëllua aksidentalisht nga forcat siriane, të cilat po përpiqeshin të rrëzonin avionë izraelitë që po bombardonin territorin. Presidenti Putin fajësoi Izraelin se kishte nxitur rrethanat për incidentin, ndërsa shteti hebre mohoi përgjegjësinë. Izraeli kishte paralajmëruar se pajisja me sistem S-300 e aktorëve të papërgjegjshëm do ta bëjë zonën e fluturimeve edhe më të rrezikshme.

Ndërsa këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Bolton tha se vendimi i Moskës do të sjellë një përshkallëzim të ndjeshëm të situatës në Siri dhe ftoi Kremlinin të rishikonte vendimin. Por apelet e shumta duket se kanë rënë në vesh të shurdhët.

Në një takim me presidentin Putin, ministri i Mbrojtjes Shoigu ka deklaruar se, operacioni i dërgimit të sistemeve S-300 në Siri është kompletuar. Ministri ka saktësuar se 49 pajisje kanë mbërritur në vendin e Lindjes së Mesme, mes të cilave 4 qëllues raketash, aparate lokalizuese dhe për kontrollin e mjeteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!