Rusia shpall në “kërkim” kryeministren e Estonisë Kaja Kallas

schedule10:07 - 13 Shkurt, 2024

schedule 10:07 - 13 Shkurt, 2024

Rusia vendosi të martën në listën e të kërkuarve kryeministren e Estonisë Kaja Kallas.  Ministria e brendshme në Moskë njoftoi se emri i udhëheqëses së qeverisë estoneze figuron në regjistrin e personave të kërkuar për akuza penale, çka do të thotë se nëse ajo “shkel” në territorin rus, do të arrestohet.

Edhe pse ne njoftimin zyrtar nuk jepet arsueja përse emri i saj përfshihet në listën “e zezë”, mediat ndërkombëtare raportojnë se ajo akuzohet për përpjekje për heqjen e monumenteve të ushtarëve sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore.

Sipas mediave ndërkombëtare në këtë listë përfshihen anëtarë dhe ish anëtarë të qeverive të Lituanisë dhe Letonisë, te dyja ish republika sovjetike, sikundër Estonia.

Të tre vendet anëtare kanë kërkuar të heqin monumentet që shihen gjerësisht si një trashëgimi e pushtimit sovjetik të vendeve. Rusia ka ligje që kriminalizojnë “rehabilitimin e nazistëve” që përfshijnë klauzola që ndëshkojnë përdhosjen e memorialeve të luftës.

I pyetur për këtë vendim, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se ishte një përgjigje ndaj veprimit të Kallas dhe të tjerëve që “kanë ndërmarrë veprime armiqësore ndaj kujtesës historike dhe vendit tonë”.

Kallas ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës, duke udhëhequr përpjekjet për të rritur ndihmën ushtarake për Kievin dhe për të forcuar sanksionet kundër Rusisë.

/abcnews.a

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!