Ditën e djeshme, Rusia deklaroi se dy drone sulmuan Kremlinin, duke akuzuar Ukrainën se kreu një përpjekje për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin. Sipas agjencive ruse të lajmeve në momentin e sulmit, Vladimir Putin nuk ndodhej në Moskë por në Shën Petersburg.
Rusia e konsideroi këtë lëvizje një sulm terrorist dhe kërcënoi Ukrainën se do të hakmerret kurdo që ajo të dojë. Ukraina ka deklaruar se nuk ka dijeni mbi këtë sulm të ndodhur në Moskë dhe se nuk i ka përdorur kurrë pajisjet e saj ushtarake për të sulmuar shtetet e tjera, por vetëm për të çliruar territorin e saj.
Ndërkohë akuzat nuk janë ndalur vetëm tek Ukraina, pasi Rusia ka akuzuar SHBA-në, se qëndron pas sulmit me dron në Kremlin.
“Uashingtoni qëndron padyshim pas tentativës së dyshuar për vrasjen e Vladimir Putinit”, ka thënë Kremlini.
Kremlini tha se Rusia ka opsione të shumta përgjigjeje dhe nuk pranoi të komentojë nëse Volodymyr Zelenskyy ishte një objektiv legjitim. Moska tha se ishte “absolutisht qesharake” që Kievi dhe Uashingtoni janë përpjekur të mohojnë incidentin, pasi Zelensky tha se Kievi nuk kishte asnjë lidhje me sulmin.
/abcnews.al