Rusia prezantoi vaksinën kundër Covid-19, ekspertët shprehin shqetësimin

schedule17:12 - 11 Gusht, 2020

schedule 17:12 - 11 Gusht, 2020

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Rusia do të sigurojë vaksinën kundër Covid-19 brenda pak ditësh.

Madje ai tha se vajza e tij është një ndër vullnetaret që është testuar me vaksinën.  Gjithashtu Putin ka bërë me dije se gjatë disa testimeve vaksina ka rezultuar e suksesshme dhe se ofron një imunitet të qëndrueshëm ndaj Covid-19.

“Unë e di se funksionon në mënyrë efektive, formon imunitet të fortë dhe, po e përsëris, ka kaluar të gjitha kontrollet e nevojshme”, u shpreh Putin.

Po ashtu, autoritetet ruse kanë aprovuar dhe do të fillojnë të prodhojnë në masë substancën e quajtur Sputnik V të zhvilluar nga Instituti Gamaleya në Mosk.

Megjithatë, shumë ekspertë ndërkombëtarë kanë shprehur rezerva në lidhje me vaksinën Gamaleya ditëve të fundit. Ende nuk ka kaluar provat e fazës-3, të cilat konsiderohen thelbësore për të garantuar sigurinë e një vaksine.

LEXO EDHE: Rusia siguron vaksinën kundër COVID-19, vajza e Putin ndër të parat që e provon

Dr. Anthony Fauci, eksperti më i mirë i sëmundjeve infektive në SHBA, është ndër ata që kanë shprehur shqetësime në lidhje me procesin e shpejtë të ndërmarrë nga vendet, përfshirë Rusinë dhe Kinën, në garën për të prodhuar një vaksinë.

Vaksina ruse deri më tani është testuar në grupe të vogla, të hershme klinike, të dizajnuara për të gjetur dozën e duhur. Ajo iu injektua ekspertëve që e zhvilluan atë, në atë që quhet vetë-eksperimentim dhe që është metodë e pazakontë në shkencën moderne.

Po ashtu vaksina u testua tek 50 anëtarë të ushtrisë ruse dhe një grup i vogël vullnetarësh të tjerë.

Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte, tha javën e kaluar se Rusia do të vazhdojë përpara me Fazën III për vaksinën Gamaleya, pasi të regjistrohet nga Ministria e Shëndetësisë e vendit.“Ne do të kemi dhjetëra mijëra të vaksinuar në gusht,” tha Dmitriev, duke lajmëruar fillimin e vaksinimit të popullsisë, veçanërisht grupeve më të rrezikuara si mjekët e mësuesit.

Kujtojmë se kohët e fundit Rusia është akuzuar nga SHBA, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar për përpjekje për të hakuar qendrat e tyre të kërkimit të koronavirusit. /abcnews.al