Kremlimi ka hedhur poshtë akuzat e raportit të Kongresit amerikan që akuzonte Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme të shumë vendeve. Sipas Moskës, raporti është një armë për të goditur presidentin Donald Trump.
Rusia ka reaguar lidhur me raportin e Kongresit amerikan që u publikua të mërkurën, në të cilin thuhej se Moska do të ndërhyjë në jetën demokratike të shumë vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara. Kremlini ka hedhur poshtë akuzat duke i konsideruar si “të pabazuara”. “Këto deklarata paranojake dëmtojnë jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe ruso-amerikane, por edhe vetë SHBA-në”, tha zëdhënësi i kreut të shtetit rus, Dmitri Peskov. “Ne na vjen shumë keq – vazhdoi Peskov – për fushatën aktuale dhe përsërisim se deri më tani të gjitha shqetësimet dhe akuzat për ndërhyrjen e vendit tonë janë krejtësisht të pabazuara dhe pa dëshmi”.
Ndërkohë, për Moskën akuzat e raportit të përpiluar nga ligjvënësit demokratë në Kongres, nuk janë asgjë më shumë se një armë e brendshme politike me të cilën demokratët dëshirojnë të diskreditojnë Presidentin Donald Trump. Gjithashtu kërkon të rrisë vëmendjen e medias rreth “Russiagate”, për shkak të zgjedhjeve të ndërmjetme të këtij viti dhe zgjedhjeve presidenciale të 2020-s.
Sipas analistëve amerikanë, ky qëndrim i Kremlinit edhe mund të jetë i qëndrueshëm. Raporti i Kongresit kritikonte linjën e ndjekur nga Trump për të luftuar ndikimin e Rusisë. Ndërsa nënvizonte se SHBA është shumë prapa vendeve europiane, në betejen kundër ndikimit të Moskës./abcnews.al