Rusia ndalon për tradhti ekspertin e një fluturimi hipersonik

schedule21:43 - 12 Gusht, 2021

schedule 21:43 - 12 Gusht, 2021

Autoritetet ruse kanë ndaluar udhëheqësin e një instituti që analizon fluturimet hipersonike – me shpejtësi më të madhe se ajo e zërit – për shkak të akuzave për tradhti.

Gjykata e rajonit Lefortovo në Moskë, ka thënë se do të caktojë masën e paraburgimit për Aleksandr Kuranov më vonë gjatë 12 gushtit.

Kuranov, shef i Qendrës Kërkimore për Sisteme Hipersonike, me bazë në Shën Petersburg, dyshohet se ka bartur material të klasifikuar te një shtetas i huaj, për një hulumtim rreth teknologjisë hipersonike, kanë raportuar mediat.

Sipas Institutit, shkencëtari 73-vjeçar ka analizuar konceptin e pajisjes Ayaks.

Rusia, lidhjet e së cilës me Perëndimin janë përkeqësuar në vitet e fundit, ka zhvilluar një numër armësh që mund të udhëtojnë shumë më shpejt sesa shpejtësia e zërit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka konsideruar këto armë si të pakrahasueshme në botë.

Një numër shkencëtarësh rusë, ushtarë dhe zyrtarë tjerë, janë akuzuar për tradhti në vitet e fundit, duke përmendur bartje të informacionit të ndjeshëm në shtetet e huaja.

Kritikët e Kremlinit thonë se akuzat janë shpesh të pabaza, por nuk mund të shqyrtohen sepse janë të klasifikuara.

Viktor Kudryavtsev, hulumtues në një institut për raketa dhe dizajn të pajisjeve hapësinore, ka vdekur më herët gjatë këtij viti, duke pritur gjyqin në akuzat për tradhti.

Një tjetër shkencëtar që ka punuar me Kudryavtsev, Roman Kovalyov, është dënuar me shtatë vjet burgim në qershor të vitit 2020, për akuza të ngjashme./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!