Rusia me Dakun e Mitajn, gazeta moskovite vlerëson “yjet” e Sylvinho

schedule12:56 - 15 Qershor, 2024

schedule 12:56 - 15 Qershor, 2024

Pranë syve, pranë zemrës. Kështu mund të kthehet përmbys një shprehje e urtë popullore, dhe kjo bën që edhe vende të largët, e që normalisht nuk na ndjejnë shumë pranë, të mendojnë pozitivisht për ne. Edhe në Rusi ka ndjenja në favor të kombëtares shqiptare në prag të ndeshjes së parë tonën në Evropian.

E përditshmja moskovite, “Sport Ekspres” I kushton një artikull të gjatë grupit ku bën pjesë e Shqipëria, dhe vlerësimi për kuqezinjtë nuk është aspak i keq. Natyrisht, “Sport Ekspres” veçon dy lojtarët që luajnë në Premier Ligën ruse, Mirlind Dakun e Mario Mitajn, i pari sulmues i Rubin Kazan dhe i dyti mbrojtës i  Lokomotiv Moscow.

Gazeta thekson se Shqipëria vërtet e ka tepër të vështirë në një grup të tillë, por nuk është aspak “djaloshi qaraman” mes Italisë, Kroacisë e Spanjës. “Në grupin e vdekjes kualifikimi duket thuajse pamundur, por nuk është mirë t’i nënvleftësosh shqiptarët”,- është komenti.

Më pas, “Sport Ekspres” jep tri arsye se përse rusët duhet të përkrahin Shqipërinë. Së pari, sepse është ekip jofavorit dhe gjithmonë është më e natyrshme që tifozët asnjanës të bëhen me më të voglin dhe së dyti, sepse Daku e Mitaj janë pjesë e kampionatit rus, dhe së treti sepse në Rusi ende e mbajnë mend lojën e Sylvinho në vitin 2000. /i.m /abcnews.al