Rusia tha se presidenti Vladimir Putin do të kërkojë një shpjegim këtë javë nga Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton, kur ai të vizitojë Moskën për synimin e Presidentit Donald Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme për shkak të shkeljeve të dyshuara ruse të marrëveshjes.
Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha të dielën se veprimi i presidentit Trump “do të ishte një hap shumë i rrezikshëm”, duke i akuzuar SHBA-të se po përpiqen të marrin “supremacinë e plotë” në botë.
Marrëveshja u negociua në fund të viteve 1980, dhe është nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov. Marrëveshja kërkoi eliminimin e raketave bërthamore dhe konvencionale me rreze të shkurtër dhe mesme veprimi nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga traktati, pasi Rusia e ka shkelur atë. Megjithatë, ai nuk dha hollësi rreth shkeljeve që Rusia i ka bërë traktatit bërthamor të luftës së ftohtë.
“Rusia e ka shkelur marrëveshjen. Ata e kanë shkelur atë për shumë vite dhe nuk e di pse Presidenti Obama nuk negocioi ose nuk u tërhoq nga traktati. Ne nuk do t’i lejojmë ata të shkelin marrëveshjen bërthamore, duke prodhuar armë që ne nuk na lejohet”.
Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të prodhojnë armë të reja nëse Rusia dhe Kina nuk bien dakord për ndalimin e tyre.
“Ne do ta bëjmë këtë nëse Rusia dhe Kina nuk vijnë të na thonë: ‘Të marrim një vendim të mençur për të mos prodhuar këto lloje armësh’. Por është e papranueshme që Rusia dhe Kina shkelin marrëveshjne ndërkohë që ne e respoektojmë atë”.
Moska tha sot se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja është një “hap i rrezikshëm”.
Rusia ka mohuar shkeljen e traktatit, ndërsa Kina nuk është pjesë e tij.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se Rusia ka shkelur traktatin duke dislokuar një raketë tokësore me qëllim që të paraqesë një kërcënim për NATO-n. Rusia ka pohuar se programi amerikan për mbrojtjen nga raketat shkel marrëveshjen. /VOA