Ministri i Jashtëm i Rusisë e ka cilësuar inskenim të perëndimit, sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri. Madje thotë se ai zhvillim është pjesë e një fushate kundër Kremlinit. Ndërsa i dërguar i Moskës në OKB kërcënoi SHBA-të me luftë nëse do të bombardojnë Sirinë.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov tha se sulmi i dyshuar me armë kimike në Siri është inskenuar nga agjentët e huaj. Gjatë një konferencë për shtyp, ai theksoi se Kremlini posedon “prova të pakundërshtueshme” që inskenimi është pjesë e një “fushate rofobike” që drejtohet nga një shtet, të cilin nuk e përmendi me emër. Për këtë Rusia ka kërkuar edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Më herët Moska paralajmëroi Uashingtonin se ndonjë bombardim i mundshëm ajror si kundërpërgjigje për sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri mund të shkaktojë një luftë mes dy vendeve. “Prioritet i menjëhershëm është të shmanget rreziku i luftës”, tha ambasadori i Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vassily Nebenzia. Ai akuzoi Uashingtonin për vendosjen në rrezik të paqes ndërkombëtare dhe tha se situata është “shumë e rrezikshme”. “Fatkeqësisht ne nuk mund të përjashtojmë ndonjë mundësi”, shtoi i dërguari i Moskës pas një mbledhje private të Këshillit të Sigurisë së OKB-së në NJu Jork.
Nebenzia nënvizoi se ka pasur rritje të “rrezikut të përshkallëzimit” për shkak të prezencës së Ushtrisë së Rusisë në Siri. Aktualisht, në mediat ndërkombëtare qarkullojnë raportime se fuqitë perëndimore po përgaten për sulme. Por Rusia, aleati kryesor i regjimit të Bashar al-Assad, kundërshton një veprim të tillë dhe paralajmëron me rrëzim të raketave.
Ndërkohë, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, njoftojnë se ekspertët po udhëtojnë për në Siri dhe do të fillojnë një hetim të shtunën. Kërkesa për veprim erdhi pas sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma të kontorlluar nga rebelët, ku u vranë rreth 100 persona. Perëndimi akuzon regjimin e Bashar al-Assad për masakrën në fjalë. Ndërsa qeveria sirian, Irani dhe Rusia pretendojnë se sulmi është një fabrikim i Perëndimit për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake. /abcnews.al