Rusia kërcënon për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO: Do të jenë objektiva legjitime për hakmarrje

schedule07:37 - 29 Mars, 2023

schedule 07:37 - 29 Mars, 2023

Finlanda dhe Suedia do të bëhen “objektiva legjitime” të masave hakmarrëse të Rusisë pasi të bëhen vende anëtare të NATO-s, tha dje ambasadori rus në Stokholm, duke sjellë përsëri në plan të parë retorikën kërcënuese të Moskës.

“Pasi Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen” Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, “gjatësia totale e kufirit të Rusisë me NATO-n pothuajse do të dyfishohet,” tha ambasadori Viktor Tatarintsev.

“Nëse dikush ende mendon se kjo në një mënyrë ose në një tjetër do të përmirësojë sigurinë e Evropës, të jetë i sigurt se anëtarët e rinj të aleancës armiqësore do të bëhen objektiva legjitime të masave hakmarrëse ruse, përfshirë masat e natyrës ushtarake”, shtoi diplomati rus.

Paralajmërimi erdhi pasi Moska u duk se kishte lënë mënjanë kërcënimet ndaj kryeqyteteve të dy vendeve nordike në muajt e fundit pas vendimit të tyre në maj 2022 për të vazhduar me aplikimet për t’u bashkuar me aleancën Atlantike.

Finlanda, një vend fqinj me Rusinë, tani po pret vetëm ratifikimin e pranimit të saj nga parlamenti turk, i premtuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, për t’u anëtarësuar në NATO. Sa i përket Suedisë, kandidatura e saj aktualisht po përballet me veton e Ankarasë dhe vonesën e ratifikimit të saj nga parlamenti hungarez.

Megjithatë, Stokholmi ende shpreson të sigurojë anëtarësimin e tij përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në korrik në Vilnius./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!