Rusia ka më shumë ekipe në Ligën e Europës në turin e tretë

schedule12:41 - 23 Shkurt, 2018

schedule 12:41 - 23 Shkurt, 2018

Rusia ka më shumë skuadra në turin e tretë të Ligës së Europës. Janë tre ekipe ruse në garë, dhe po ashtu nga dy ekipe të shteteve të mëdha si Italia, Gjermania, Spanja apo Franca.

Tashmë kanë mbetur 16.

Kaq janë skuadrat në garë për të fitur Ligën e Europës në përfundim të ndeshjeve të turit të dytë.

Të papritura të mëdha nuk pati me përjashtim të eleminimit të Napolit nga Lajpcigu, pavarësisht fitores 2-0 në Gjermani.

Takimi i parë ishte humbur 1-3.

Në të tetat e finaleve më shumë ekipe se të gjithë ka Rusia.

CSKA e Moskës, Lokomotiv e Moskës dhe Zeniti i Shën Petersburgut kaluan për më tej dhe vetëm Spartaku i Moskës nuk ia doli, pavarësisht fitores 2-1 në Spanjë ndaj Bilbaos.

Baskët ia kishin dalë 3-1 në kryeqytetin rus.

Pas ekipeve nga Rusia, vijnë ata nga Spanja, Gjermania, Italia dhe Franca, që e bëjnë kompeticionin shumë interesant.

Atletiko e Madridit nuk pati problem të kualifikohej, ndërsa për Bilbaon ishte më e vështirë.

Nga gjermanët u kualifikuan Dortmundi e Lajpcigu.

Dortmundi eleminoi Atalantën e Etrit Berishës duke barazuar 1-1 në Itali.

Italianët, që kishin Berishën në portë, kaluan të parët në epërsi me Toloin, por Shmelcer barazoi, ndërsa gjermanët kishin fituar 3-2 në fushën e tyre.

Lajpcigu kaloi ekipin ku bën pjesë shqiptari tjetër, Elseid Hysaj, pra Napolin, ndonëse u mund në stadiumin e vet 2-0, pasi kishte fituar 3-1 në Itali.

Zielinski dhe Insinje ishin autorë të golave, ndërsa Hysaj nuk u aktivizua nga trajneri Sarri, duke u ruajtur për kampionatin.

Milani e Lacio janë ekipet me emër dhe forcë të Italisë.

Kuqezinjtë fituan sërish me Ludogorecin bullgar, këtë herë 1-0 pas 3-0 jashtë fushe.

Fabio Borini ishte këtë herë autori i golit për ekipin e trajnerit Xhenaro Gatuzo.

Më e vështirë pritej për lacialët e portierit Tomas Strakosha, por humbja 0-1 në Bukuresht, u la pas me suksesin 5-1 ndaj Steauas në Romë.

Sulmuuesi kryesor, Çiro Imobile, shënoi 3 gola, ndërsa Strakosha luajti si titullar duke qenë pjesë e suksesit.

Anglezët ndërkaq i përfaqëson vetëm Arsenali, edhe pse shpëtoi mirë nga turpërimi.

Skuadra modeste suedeze e Ostersundit fitoi 2-1 në “Emirejts” të Londrës duke kryesuar 2-0 në pjesën e parë, por nuk ia doli.

Formacioni i trajnerit Arsen Venger u kualifikua falë suksesit 3-0 në ndeshjen e parë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!