Nga Mary Anastasia O’Grady “Wall Street Journal”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, paralajmëroi në një intervistë televizive të transmetuar më 13 janar, se në rast se SHBA vazhdon të mbrojë sovranitetin e Ukrainës,qeveria e tij nuk do të përjashtonte vendosjen e “aseteve ushtarake” në Venezuelë dhe Kubë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, e cilësoi këtë deklaratë “të turbullt”, duke u përpjekur që të mos i jepte shumë rëndësi. Ekspertët- që reaguan siç kishte shpresuar Kremlini – sugjeruan se mund të ndodhemi para një rreziku të ngjashëm me Krizën e Raketave Kubane të vitit 1962, sigurisht në një version më të zbutur.
Por kjo ishte e tepruar, dhe Sullivan kishte të drejtë që e trajtoi atë deklaratë thjesht si një shashkë që synonte të shpërqendronte Perëndimin. Megjithatë, nëse administrata e Joe Biden, donte të sugjeronte se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar në lidhje me agresionin rus në Hemisferën Perëndimore, ajo nuk është e ndershme me popullin amerikan.
Rusia ka depërtuar dalëngadalë në rajon prej dekadash, dhe Perëndimi nuk ka thënë asgjë.
Po kështu ka bërë edhe Kina. Kjo çështje meriton më shumë vëmendje. Rusisë i mungojnë burimet për një luftë tokësore në Amerikën Latine. Avionët e saj bombarduesit “Tupolev Tu-160” mund të bartin si raketa konvencionale po ashtu edhe ato bërthamore.
Çdo 5 vite duke nisur që nga viti 2008, Rusia ka vendosur 2 prej avionëve të saj supersonikë në misione afatshkurtra në Venezuelë. Por Vladimir Putin e di se as ai dhe as përfaqësuesit e tij nuk do të rezistonin gjatë, në një përballje konvencionale me SHBA-në në rajon.
Prandaj, Rusia dhe Kina po zhvillojnë një luftë hibride, duke përdorur sisteme dhe pajisje të inteligjencës ushtarake të nivelit të lartë, të cilat ndodhen në duart e aktorëve të rrezikshëm, duke përfshirë kontraktorët privatë dhe grupet kriminale.
Rusia i furnizon me armë dhe fuqi punëtore, ndërsa Kina u ofron teknologjinë ushtarake më të sofistikuar. Kjo sjellje nuk është e ndryshme nga strategjia e përdorur për të minuar rolin e Perëndimit në Ukrainë dhe Siri.
Rusia luan një rol kyç në mbijetesën e diktaturave ushtarake tejet jopopullore në Venezuelë dhe Kubë. Siç e theksoi edhe nënkoloneli në pension i ushtrisë venezueliane José Gustavo Arocha në një artikull dhjetorin e viti të kaluar në portalin “Defense Dossier”:“Gjatë mandatit të tij 14-vjeçar, Hugo Chavez vizitoi 9 herë Rusinë dhe 6 herë Kinën, në kuadër të krijimit të një aleance të sigurisë dhe mbrojtjes, të cilën regjimi i Maduro e ruan ende sot”.
Zoti Arocha, aktualisht një bashkëpunëtor në Qendrën për një Shoqëri të Lirë e të Sigurt me qendër në Uashington, vëren se gjatë 20 viteve të fundit Venezuela ka blerë më shumë se 11.4 miliardë dollarë pajisje dhe armë ushtarake ruse.
Këtu përfshihen “avionët luftarakë, helikopterët sulmues dhe transportues, platformat e mbrojtjes ajrore dhe detare, tanket, transportuesit e blinduar të personelit ushtarak (APC), artilerinë vetëlëvizëse dhe armë të ndryshme të vogla, përfshirë raketat tokë-ajër”.
Në një shkrim të 25 janarit 2019, agjencia e lajmeve Reuters citonte burime anonime, që pretendonin se kontraktorët ushtarakë privatë rusë ishin dërguar në Venezuelë për ta ndihmuar diktatorin Nicolás Maduro të mbante pushtetin. Një zëdhënës i Kremlinit i tha Reuters se Rusia “nuk kishte një informacion të tillë”.
Por agjencia e lajmeve citoi të dhëna të gjurmimit të fluturimeve, sipas të cilave avionët rusë të transportit të materialeve ushtarake por edhe mallrave të ndryshëm, udhëtuan nga Rusia në Karakas në dhjetorin e vitit 2018.
Artikulli citonte Yevgeny Shabayev, të cilin e përshkroi si “udhëheqësin i një grupi paraushtarak kozakësh, që kishin lidhje me rusët kontraktorët ushtarakë”, se disa nga mercenarët rusë udhëtuan për në Venezuelë përmes Kubës.
Reuters zbuloi se avionët civilë që ishin në “pronësinë e një departamenti të administratës presidenciale ruse”, mbërritën në Havanë në janarin e vitit 2019 “nëpërmjet Senegalit dhe Paraguajit”.Të trajnuar dhe të armatosur për të drejtuar gjendjet e shtetrrethimit policor, Venezuela dhe Kuba – dhe së fundmi edhe Nikaragua – janë tani të sigurta në duart e dyshes Rusi-Kinë.
Por armiqtë e qytetërimit perëndimor duan më shumë sesa kaq. Kolumbia është preja e radhës në axhendën e tyre. Ky vend është shumë i cënueshëm për shkak të ndikimit korruptues të organizatave të trafikut të drogës, dhe infiltrimit të Kubës në institucionet kolumbiane, shoqërinë civile, biznesin, median dhe botën akademike kolumbiane.
Dorëzimi i qeverisë kolumbiane në vitin 2016, që mbështetej nga Barack Obama, përballë grupit kriminal FARC – në të ashtuquajturën“marrëveshje për paqe” – vetëm sa e përkeqësoi destabilitetin në vend.Tani Rusia dhe Kina po ndërhyjnë akoma më hapur.
Në dhjetorin e vitit 2020, revista “Semana” raportoi se Kolumbia dëboi dy diplomatë rusë me akuzën e spiunazhit. Por spiunazhi i Kremlinit është problemi më i vogël i nxitur nga Vladimir Putin në Kolumbi.
Grupet e krimit të organizuar janë përfshirë në një konflikt të përgjakshëm në kufirin Kolumbi-Venezuelë. Një nga këto grupe, që drejtohej nga një negociator i marrëveshjes Obama-FARC në vitin 2016, është një aleat i Nicolas Maduro, qeveria e të cilit është vetë e përfshirë në trafikun e drogës.
Në një video të 19 janarit të publikuar në YouTube dhe të realizuar buzë lumit kolumbian Arauca, Joseph Humire, drejtor ekzekutiv i Qendrës për një Shoqëri të Lirë dhe të Sigurt, shpjegon se lufta e vitit të kaluar midis miqve të FARC të Maduros dhe Frontit të 10-të të FARC-ut ka të ngjarë të kishte prapa synime më të gjera gjeopolitike.
Ajo luftë i dha Venezuelës justifikimin zyrtar për ta militarizuar kufirin, duke vendosur aty avionë luftarakë të prodhimit kinez dhe dronë zbulues të prodhimit rus. Duke e inkuadruar Venezuelën si kundërshtare të grupeve të armatosura ilegale, Maduro dhe Rusia po drejtojnë tani një fushatë keq-informimi, për të vendosur ekuivalencën morale midis demokracisë kolumbiane dhe diktaturës venezueliane.
Nëse ish-guerilasi i M-19, Gustavo Petro, fiton zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Kolumbi në majin e këtij viti, do të krijohen kushtet për ta kthyer atë që ishte dikur një nga aleatët më të besueshëm të SHBA-së në një përfaqësues të Rusisë në vend. Dhe të gjitha këto fitore pa asnjë të shtënë arme. /abcnews.al