Rusia: Do të ndjekim me vëmendje samitin e NATO-s

schedule12:44 - 9 Korrik, 2024

schedule 12:44 - 9 Korrik, 2024

Kremlini njoftoi sot se do të ndjekë me vëmendjen më të madhe, samitin e NATO-s që fillon sot në Uashington, sepse aleanca e konsideron Rusinë armike të saj.

“Kjo është një aleancë që e konsideron Rusinë armikun e saj, rivalin e saj. Një aleancë e cila, herë pas here, ka deklaruar hapur se qëllimi i saj është t’i shkaktojë Rusisë një disfatë strategjike në fushën e betejës.

Për këtë arsye, ne do të monitorojmë me vëmendje retorikën e bisedimeve që do të zhvillohen dhe vendimet që do të merren”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, e cila është zgjeruar me shtimin e Finlandës dhe Suedisë dhe tani ka 32 anëtarë, do të takohen nga sot në Uashington për një samit që synon të riafirmojë mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Vendet e NATO-s kanë ofruar ndihmë jetike ushtarake për Kievin që nga fillimi i luftës, pas pushtimit rus në shkurt 2022, pavarësisht se Ukraina ka thënë se mbështetja që po merr është e pamjaftueshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të marrë pjesë në samit, pritet të kërkojë sërish nga aleatët e tij perëndimorë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!