Rusia dhe Arabia Saudite nisin Kupën e Botës

schedule14:37 - 14 Qershor, 2018

schedule 14:37 - 14 Qershor, 2018

Rusia dhe Arabia Saudite do të luajnë ndeshjen e parë të Botërorit, në orën 17:00 në stadiumin “Luzhniki” të Moskës. Vendasit jepen favoritë edhe pse nuk janë aspak në formë.

Pasi Robi Uilliams dhe Aida Garifulina të përfundojnë spektaklin e tyre artistik, do të nisë Botërori. Rusia dhe Arabia Saudite kanë nderin e ndeshjes së parë, që nuk pritet të jetë më e bukura, por që mbetet e veçantë pasi është ajo fillestare.

Rusët vendas kanë detyrim të madh të kënaqin kombin, veçse vijnë në Botëror me skuadrën më të dobët të të gjitha kohëve. Të dëmtuar janë sulmuesi Kokorin e mbrojtësit Xhikia e Vasin, por synimi është të paktën kalimi i grupit. Trajneri Çerçesov përpiqet të jetë i qetë.

“Skuadra është shumë mirë nga ana psikologjike, jemi gati për të nisur punën. Niveli ynë është rritur nga dita në ditë, me punën e madhe që kemi bërë. Nuk mund të them tani se kush do të jetë formacioni, por mund të them se dëmtimet i kemi lënë pas vetes dhe kemi probleme të vogla. Jam i lumtur për mbështetjen që po na japin tifozët, jo vetëm në Rusi, por edhe jashtë saj. Përsa i përket kritikave, ne kemi parë punën tonë dhe shpresojmë ta nisim Botërorin me fitore”.

Sauditët nuk kanë probleme dhe dilema e vetme e trajnerit Pizi, është se kë duhet të aktivizojë në sulm, Al Sahlauin apo Asirin. Argjentinasi duket i vendosur.

“Në aspektin personal jam shumë i emocionuar që luajmë ndeshjen e parë. Kjo nuk qëllon shpesh në jetë. Edhe si ekip jemi thellësisht të emocionuar që marrim pjesë në Botëror. Duam të bëjmë maksimumin dhe t’i bëjmë të lumtur të gjithë banorët e Arabisë Saudite. Ndaj Rusisë do të luajmë për fitore, do të luftojmë për çdo top. Duam që të jemi më të mirë sesa rusët, ky është stili im”.

Rusia dhe Arabia Saudite janë ndeshur vetëm një herë mes tyre, një miqësore e 25 viteve më parë, fituar 4-2 nga arabët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!