Rusia dërgon flotën e dytë të avionëve në Siri, por cili është destinacioni i vërtetë sipas SHBA?

schedule09:34 - 4 Qershor, 2020

schedule 09:34 - 4 Qershor, 2020

Rusia ka konfirmuar dërgimin e më shumë aeroplanëve luftarakë të tipit MiG-29 në Siri, vetëm disa ditë pasi ushtria amerikane ka akuzuar Moskën për përdorimin e Sirisë në transferimin e aeroplanëve luftarakë në Libi.

Ambasada ruse në Damaskë ka thënë të Twitter, më 3 qershor, se “grupi i dytë” i aeroplanëve MiG-29, është dorëzuar te ushtria siriane “në kuadër të kornizës për bashkëpunim në mbrojtje”.

Rusia, e cila ka mbështetur përmes fuqisë ajrore, presidenti sirian, Bashar al-Assad dhe Qeverinë siriane, është akuzuar nga kombet perëndimore, hetuesit e Kombeve të Bashkuara dhe grupet për të drejtat e njeriut, për krime të mundshme të luftës përgjatë luftës nëntëvjeçare në këtë shtet.

Kjo dërgesë ka ndodhur pas ushtria amerikane ka akuzuar Moskën, në fund të muajit maj, se është duke dërguar fuqi ajrore në Libi, për të mbështetur mercenarët rusë dhe për t’i ndihmuar një komandanti në luftën kundër një qeverie të njohur ndërkombëtarisht.

Komanda e Shteteve të Bashkuara në Afrikë, ka thënë se 14 aeroplanë luftarakë të tipit MiG-29 dhe Su-24, janë dërguar në Libi përmes Sirisë, ku u është ndërruar ngjyra, për të ndryshuar identitetin.

Grupi Vagner, kontraktor privat ushtarak, që besohet se është i afërt me Kremlinin, ka ndihmuar komandantin të Libisë, Khalifa Haftar, në lindje të shtetit, që të luftojë qeverinë me bazë në Tripoli.

Në një raport të Kombeve të Bashkuara është vlerësuar se numri i mercenarëve rusë në atë shtet është mes 800 dhe 1,200.

Moska ka mohuar që shteti rus është përgjegjës për angazhimin e Grupit Vagner atje si dhe ka mohuar dërgimin e aeroplanëve.

Libia është shkatërruar nga lufta civile, prej kryengritjes popullore që ka rezultuar me vrasjen e diktatorit Muammar Qaddafi më 2011. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!