Rusia dëbon dy diplomatë holandezë

schedule14:20 - 18 Janar, 2021

schedule 14:20 - 18 Janar, 2021

Rusia ka dëbuar dy diplomatë holandezë si përgjigje ndaj një veprimi të njëjtë të autoriteteve holandeze ndaj dy diplomatëve rusë, muajin e kaluar.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha përmes një deklarate më 18 janar se, “të udhëhequr nga parimi i reciprocitetit”, i ngarkuari me punë i Holandës, Joost Reintjes, është thirrur në një takim dhe është informuar për vendimin.

Përplasjet mes Holandës dhe Rusisë, filluan më 10 dhjetor pasi Shërbimi i Përgjithshëm për Siguri dhe Inteligjencë i Holandës (AIVD) tha se po dëbonte dy rusë të paidentifikuar, të cilët po përpiqeshin të siguronin informacione mbi inteligjencën artificiale dhe nanoteknologjinë. Shërbimi holandez shtoi se dy personat punuan për agjencinë e inteligjencës civile të Rusisë, të njohur si SVR.

Në atë kohë, ambasada e Rusisë në Hagë tha se Holanda nuk kishte paraqitur asnjë provë të veprimeve të paligjshme nga diplomatët rusë. Ministria e Jashtme e Rusisë më 18 janar i quajti akuzat si “shpifje dhe të pabazuara”.

Dy diplomatët holandezë kanë dy javë kohë për të lënë Rusinë, thuhet në deklaratë./REL/