Rusi-Kroaci, çerekfinalja e fundit e Kupës së Botës

schedule16:57 - 7 Korrik, 2018

schedule 16:57 - 7 Korrik, 2018

Rusi-Kroaci do të jetë çerekfinalja e fundit e Kupës së Botës. Skuadra vendase synon mrekullinë e radhës, pas eleminimit të Spanjës, por ballkanasit jepen favoritë.

Rikuperim mendor dhe jo vetëm fizik. Këtë mendoi stafi teknik i Rusisë, kur lejoi futbollistët të kishin pranë familjet dhe njerëzit e dashur, në prag të çerekfinales.

Vendasit duan të bëjnë gjithçka për të kaluar Kroacinë dhe për të arritur për herë të parë mes katër më të mirëve të Botërorit. Pasi ia dolën ndaj Spanjës, gjithçka duket e mundshme edhe pse rusët nuk jepen favoritë.

Udhëtimi drejt Sochi-t, në jug ishte i qetë dhe me optimizëm. Problemi i vetëm për Rusinë është dëmtimi i Zhirkovit, gjithë të tjerët janë në dispozicion të trajnerit Çerçesov.

“Është e qartë se përgatitjet tona kanë qenë disi më të ndryshme, – pohoi Çerçesovi, – pasi Kroacia është skuadër e ndryshme nga Spanja. Nuk mund të flas me hollësi për taktikën apo formacionin, por mund të them se kemi bërë gjithçka që në ndeshjet t’i kemi gati të gjitha “armët” tona. Historia e Spanjës ishte e bukur, por ajo kaloi dhe ne duam të shkojmë përpara”.

Ballkanasit cilësohen si tepër të fortë dhe duan të barazojnë rekordin e Botërorit të vitit 1998. Kroacia nuk ka asnjë mungesë, qoftë për dëmtim apo pezullim, dhe formacioni pritet të ketë i njëjtë si ndaj Danimarkës.

“Ne nuk mund ta zgjedhim kundërshtarin, – tha Daliç, – nëse mund të jetë i zoti i shtëpisë apo dikush tjetër. Ne thjesht mundemi të luajmë siç dimë dhe të fitojmë. Sfida do të jetë shumë e fortë, dhe problem shtesë do të jetë mbështetja e tifozëve rusë, por unë besoj tek lojtarët e mi, që kanë përvojë në ndeshjet nën presion”.

Fitorja e Rusisë jepet me kuotën 4.25, barazimi në 3.1 dhe fitorja kroate shihet si shumë më tepër e mundshme, me koeficient 2.1./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!