Rusi, Komisioni Elektoral nuk lejon kandidimin e kundërshtarit të Putin

schedule19:26 - 25 Dhjetor, 2017

schedule 19:26 - 25 Dhjetor, 2017

Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, nuk mund të kandidojë për zgjedhjet presidenciale. Ai nuk u lejua të garojë për shkak të një dënimi për përvetësim fondesh. I konsideruar si kundërshtari kryesor i Vladimir Putin, 41-vjeçari u kërkoi mbështetësve të tij që të bojkotojnë votimin në mars të 2018.

Komisioni Elektoral qëndror i Rusisë i ka bllokuar kandidaturën liderit të opozitës Aleksei Navalni. Në këtë mënyrë, ai nuk mund të garojë për zgjedhjet presidenciale të marsit të 2018-ës, në të cilat do të kandidojë edhe Valdimir Putin, për një mandat të katërt. Sondazhet japin fitues kreun aktual të shtetit. “I papërshtatshëm për probleme me drejtësinë”, kështu shkruhet në vendimin e komisionit. Të 12 anëtarët e tij kanë votuar kundër kandidaturës së Navalnit, duke motivuar refuzimin me dënimin e diskutueshëm prej 5 vjetësh për përvetësim fondesh. Navalni gjithmonë ka pohuar se ishte një dënim politik.

Pas ndalimit të kandidimit, 41-vjeçari i bëri thirrje të gjithë mbështetësve të tij që mos të marrin pjesë në votime. “Po deklarojmë një grevë zgjedhore. I kërkojmë të gjithëve që të bojkotojnë këto zgjedhje dhe nuk do të njohim rezultatin e dalë prej tyre”, nënvizoi Navalni.

Ai që shfaqet si kundërshtari kryesor i Vladimir Putin në funksion të zgjedhjeve të vitit 2018, u dënua në muajt e fundit me burgim për organizimin e demonstratave të paautorizuara. Navalni, ishte arrestuar edhe më herët nga policia në derën e shtëpisë së tij në Moskë më 12 qershor, madje një orë para se protesta anti-korrupsion e organizuar nga opozita të fillonte ditën e festimeve kombëtare të “Ditës së Rusisë”. Me këtë rast, blogeri u dënua me 30 ditë burg për “shkelje të vazhdueshme të ligjit për organizimin e tubimeve publike”.

Ndërkohë, më 7 tetor, në ditën e 65 vjetorit të Putin, mbështetësit e Navalni, i cili ishte i arrestuar në atë kohë, demonstruan në Shën Petersburg dhe në vende të tjera kundër kreut të Kremlinit: gjatë protestave u arrestuan mbi 200 persona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!