Rusi-Indi sfidojnë SHBA-të

schedule23:05 - 5 Tetor, 2018

schedule 23:05 - 5 Tetor, 2018

Sanksionet dhe masat proteksioniste po japin efektin e kundërt, duke izoluar Shtetet e Bashkuara nga bota. Të premten, Rusia dhe India nënshkruan një marrëveshje në fushën bërthamore, duke treguar edhe njëherë se nuk i tremben sanksioneve të administratës Trump.

Sanksionet e vendosura për ta bërë Amerikën të madhe sërish, duket se nuk po japin efektin e pritur. Përpjekjet e presidentit Trump për të penguar marrëveshjet ushtarake mes fuqive të ndryshme botërore duket se kanë vetëm një impakt të përkohshëm dhe nuk po i ndalojnë vende si Kina, Rusia dhe India të arrijnë marrëveshje mes tyre.

Kanë qenë këto dy të fundit që të premten kanë rënë dakord për ndërtimin e 6 impianteve bërthamore në shtetin e Indisë. Gjatë një takimi të zhvilluar në Nju Delhi, kryeministri Narendra Modi dhe presidenti Vladimir Putin kanë gjetur mirëkuptim për të bashkëpunuar edhe për një mision hapësinor. Impiantet atomike do të ndërtohen nga një kompani prestigjoze ruse dhe projekti pritet të nxisë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e teknologjisë bërthamore.

Një burim rus ka deklaruar për agjencinë “Reuters” se Putin dhe kryeministri Modi kanë rënë dakord në parim dhe se firmat për marrëveshjen nuk janë hedhur ende. Por nëse konfirmohet, ajo do të jetë më e madhja e viteve të fundit në fushën e industrisë atomike dhe natyrisht, më e madhja mes dy vendeve në dekada.

Lëvizja e Moskës dhe Nju Delhit zyrtar vjen në një kohë kur administrata Trump ka zgjedhur masat proteksioniste, gjuhën e sanksioneve dhe tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare. Një qasje kjo që politikën “Amerika e para” në praktikë e kthen në “Amerika e fundit”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!