Është arrestuar përsëri lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalni. Ndalimi i tij u bë në Moskë, ndërsa po merrte pjesë në një protestë të paautorizuar, në të cilën bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale. Më herët policia bastisi dhe zyrat e fondacionit të tij anti-korrupsion.
Gjatë protestës anti-qeveritare në Moskë është arrestuar lideri i opozitës, Alexiei Navalny. Lajmi bëhet i ditur nga mediat ruse që theksojnë se ndalimi i tij bëhet për shkak të manifestimeve të paautorizuara që janë organizuara nga 41-vjeçari për të kërkuara bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale që mbahen me 18 Mars. Mësohet se 27 persona të tjerë janë arrestuar nga policia ruse për protestat e thirrura nga lideri opozitar. Navalny nuk arriti të kandidonte për shkak të një dënimi të mëhershëm, për të cilin analistët mendojnë se ishte i motivuar politikisht.
Ndërsa më herët gjatë së dielës, policia ruse ka zhvilluar një operacion kontrolli në selinë e Fondacionit anti-korrupsion të liderit të opozitës, Alexiei Navalny. Motivi i bastisjes ishte për një “alarm për bombë”. Sipas medias online “Meduza”, që raporton lajmin, agjentët kanë sekuestruar kompjuter, server dhe filmime të telekamerave të sigurisë. Operacioni u zhvillua në një ditë ku në të gjithë Rusinë u zhvilluan manifestime anti-qeveritare dhe anti-elektorale të organizuara nga Navalny.
Pamje filmike të publikuara në kanalin zyrtar të lideri opozitar në YouTube, tregojnë disa oficerë që hyjnë në godinë dhe që marrin në pyetje disa pjestarë të stafit. Një zëdhënës I Navalny, tha se agjentët kanë përdorur një mjet të fuqishëm për të hyrë në zyrat e fondacionin anti-korrupsion.
Ndërkohë, 41-vjeçari mban rregullisht protesta kundër presidentit Vladimir Putin dhe është arrestuar disa herë për zhvillimin e tyre në mënyrë të paautorizuar. Putin, i cili refuzon të thërrasë Navalny në emër, pretendon se ka një mbështetje të madhe nga qytetarët në Rusi dhe pritet të fitojë lehtësisht një mandat të katërt në drejtim të Kremlinit./abcnews.al