Rusët që refuzojnë të luftojnë në Ukrainë, burgosen dhe torturohen në biruca

schedule21:43 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 21:43 - 12 Dhjetor, 2022

Pas fjalëve të mëdha të udhëheqjes ruse para së gjithash të Presidentit Vladimir Putin, për karakterin heroik të “operacionit special” në Ukrainë, qëndron një realitet tjetër, ai i burgosjes së dhunshme për ata që reagojnë.

Dëshmitë dhe historitë e nxjerra në dritë nga gazetarët investigativë dhe nga mediat e pavarura ruse flasin për pasojat e tmerrshme që kanë pësuar ata ushtarë rusë që refuzojnë të luftojnë.

Të afërmit flasin për ushtarë të rrahur, të burgosur dhe të plagosur rëndë nga torturat.

Ata flasin edhe për kërcënime me shumë vite burg, madje edhe ekzekutime.

Janë të paktën nëntë lokacione ku thuhet se mbahen qindra ushtarë. Shumica mbajnë disa dhjetëra persona, por njëri thuhet se ka burgosur rreth 300.

Çështja është nxjerrë në dritë nga ASTRA, një kanal në Telegram i krijuar nga gazetarë disidentë rusë.

Në tetor, ata raportuan për herë të parë se 20 ushtarë po mbaheshin nën tokë në zonat e pushtuara të Luhansk.

Të burgosurit flisnin për kushte të mjerueshme pa ushqim dhe pa larje për të burgosurit, në një bodrum ku pikonte çatia mbi ta.

Ata ishin në mesin e ushtarëve të “mobilizimit të pjesshëm” të urdhëruar nga Putin. Pasi u morën nga bodrumi, u mbajtën edhe 10 ditë të tjera dhe u kërcënuan me dënime të rënda nëse nuk donin të luftonin. Kur ata refuzuan u dërguan në një ish-burg në një qytet tjetër.

Një tjetër sekret nëntokë ku 20 persona mbaheshin në kushte të mjerueshme u gjet në qytetin e Donetsk.

Së bashku me ta, raportoi faqja ruse e lajmeve Insider, ishte një grua që po mbahej me burrin e saj i cili refuzoi të luftonte. Burri tha se trajnimi i tij zgjati vetëm dy ditë para se të dërgohej në front.

BBC foli edhe me babain e oficerit, i cili fillimisht pranoi të luftonte, por duke parë realitetin e frontit nga afër, ai nuk pranoi të shkonte në betejë.

Kur oficeri shkroi një letër, së bashku me të tjerët, për refuzimin e tij, ai u arrestua. Ushtarët më pas e kërcënuan atë me ekzekutim dhe e goditën në fytyrë.

Rusia nuk ka dhënë shifra zyrtare për viktimat gjatë luftës që filloi në shkurt. Zyrtarisht nuk flitet për rekrutime të reja, por shumë do të thoshin se kjo do të varet nga rrjedha e konflikteve.

Kievi në një vlerësim ditor të humbjeve në materiale dhe njerëz, flet për gati 100 mijë rusë të vdekur, përveç mijëra tankeve të humbura dhe qindra avionëve dhe helikopterëve të humbur./Abcnews.al/