Rusët po shkatërrojnë qytetet, shpresë te negociatat: Çfarë ka ndodhur sot në Ukrainë

schedule13:50 - 5 Mars, 2022

schedule 13:50 - 5 Mars, 2022

Sot është shënuar  dita e 10 e pushtimit të Ukrainës nga rusët. Raportimet e fundit bëjnë me dije se për shkak të sulmeve ruse kanë humbur jetën mijëra civilë dhe më shumë se 1.2 milionë njerëz janë larguar për t’i shpëtuar agresionit rus.

Ndërkohë raketat ruse kanë synuar kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë. Një ditë më parë trupat ruse kanë sulmuar  gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Europë.

Gjithashtu situata e krijuar në Ukrainë, ka sjellë reagimin e të gjithë botës ku shumica e vendeve janë në krah të saj dhe kërkojnë që Rusia të tërhiqet nga sulmet e dhunshme.  Deri më tani SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

Abcnews.al ju sjell zhvillimet më të rëndësishme në ditën e 10 të luftës në Ukrainë:

Në kuadër të dy raundeve të bisedimeve të zhvilluara mes dy delegacioneve rus dhe ukrainas, sot është vendosur një armëpushim për disa orë në dy qytete  Mariupol dhe Volnovakha me qëllim largimin e civilëve.

Armëpushimi filloi në orën 09:00. Por menjëherë pas shpalljes së armëpushimit, nënkryetari i bashkisë së Mariupolit tha se trupat ruse ishin ende duke bombarduar qytetin.

Ukraina pezulloi evakuimin, ndërsa autoritetet u bënë thirrje banorëve të strehohen në vende të sigurta, në pritje të një njoftimi të dytë.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se civilët nuk ishin larguar nga rrugët e sigurta dhe akuzoi autoritetet ukrainase se kishte penguar njerëzit që të largoheshin.

Negociatat mes të dyja palëve po vazhdojnë, tha nënkryetari i bashkisë së Mariupol.

Rusia ka “të ngjarë” të ketë rrethuar katër qytete kryesore – Kharkiv , Chernihiv , Sumy dhe Mariupol, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.

Kremlini nga ana tjetër mbështeti ligjin për dënimin deri në 15 vite të personave që përhapin lajme të rreme duke theksuar se vendi po përballet me një “luftë informacioni”.

66,000 burra janë kthyer në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

-Zara mbylli 500 dyqanet e saj në Rusi, ndërsa Samsung dhe PayPal po pezullojnë aktivitetet në vend.

Qeveria britanike i ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!